E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita me dy koalicione, çfarë humb dhe çfarë fiton në zgjedhje



Shaban Sulçe

Konkurrimi i së majtës me dy koalicione të ndara në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 i opozitës nuk do ta dëmtojë atë në rast se sjellja e koalicioneve do të jetë bashkëpunuese dhe jo sulmuese ndaj njëra-tjetrës. Ky është konkluzioni që nxjerrin përfaqësuesit e partive kryesore të së majtës në forumin e organizuar nga gazeta “Albania”. Përfaqësuesit e PSD-së, Engjëll Bejtaj dhe përfaqësuesi i PDS-së Paskal Milo, janë në të njëjtin mendim, përsa u përket të mirave dhe të këqijave që sjell kandidimi i opozitës me dy koalicione. Nga ana tjetër, deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, thotë se koalicioni i udhëhequr nga LSI-ja do të jetë çelësi i fitores së të majtës në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që deputeti i PS-së, Erion Braçe, shprehet optimist se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do të kandidojë në një koalicion të vetëm, që do të jetë edhe koalicioni fitues.

Erion Braçe, PS
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehet i bindur në bashkimin e opozitës në një koalicion të vetëm. Sipas tij, askush prej partive kryesore të opozitës nuk dëshiron të marrë përsipër përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009. “Asnjë gjë dhe askush nuk vë në dyshim fitoren e të majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Nuk do të ketë dy koalicione, por një koalicion të vetëm, një koalicion fitues që do të mundësojë largimin e Sali Berishës dhe rikthimin e të majtës në pushtet, përsa kohë që koalicioni tjetër që është krijuar është koalicioni i Mediut dhe i kërpudhës së Gërdecit. Siç e theksova, opozita do të konkurrojë e bashkuar dhe e vetme në zgjedhjet e ardhshme, sepse mendoj se asnjë prej partive kryesore të së majtës, PS, LSI dhe PSD, nuk do të dëshirojë të marrë përgjegjësinë e humbjes së këtyre zgjedhjeve, që janë shumë të rëndësishme. Çfarë më bën të mendoj në bashkimin e opozitës? Përvoja e hidhur e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005”, - tha Braçe.

Ndre Legisi, LSI
Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, e konsideron të gabuar opinionin e përhapur sipas të cilit, në rast se opozita do të kandidojë me dy koalicione në zgjedhje, rrezikon fitoren. Legisi deklaron se koalicioni i udhëhequr nga LSI-ja do të jetë garanti i fitores së të majtës. “Kemi të bëjmë me një opinion të të gjithë atyre njerëzve që nuk kanë njohuritë e duhura për sistemin e ri zgjedhor. Nga ana tjetër, ka shumë politikanë që vazhdojnë t’i japin popullaritet këtij opinioni si një mënyrë për të trembur elektoratin. Sistemi i ri zgjedhor, i hartuar nga PD-ja dhe PS-ja, është bërë me dy qëllime. Së pari për të favorizuar dy partitë e vjetra, dhe së dyti për të vështirësuar koalicionet parazgjedhore, si një mënyrë për të nxitur vasalitetin e partive të tjera ndaj dy partive të vjetra. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një lojë djallëzore, por që mund të kthehet në dëm të PS-së dhe PD-së nëse kemi parasysh shprehjen popullore se “nuk shtyhet jeta me hile”. Ky sistem favorizon parti të organizuara dhe të fuqishme, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim. Nga ana tjetër, bashkimi në një koalicion rreth LSI-së do të jetë një mënyrë shumë efikase që këto parti të përfaqësoheshin në parlament, duke ruajtur identitetin e tyre. Siç kemi parë dhe në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve lokale në bashkitë e Patosit, apo të Urës Vajgurore, në komunat Otllak, Libofshë apo së fundmi edhe në komunën e Kasharit, LSI-ja me koalicionin e saj do të mund të jetë një rivale e denjë për të dalë forca e para në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Në këtë mënyrë konkurrimi nuk e cenon aspak fitoren e së majtës ndaj edhe parullat naive për të frikësuar elektoratin dhe për ta trembur atë, siç edhe u veprua në zgjedhjet e 2005-s, do të jenë tërësisht të dështuara. Elektorati duhet të jetë i qetë, ashtu si deri sot, votat për LSI-në do të jenë vota kundër Berishës, si dhe çdo votë për LSI-në dhe koalicionin e saj do të jenë votë për kthimin e së majtës në pushtet. Partia Socialiste të mos e ndihmojë Berishën. PS-ja duhet të reflektojë dhe t’i bashkohet koalicionit tonë, i vetmi koalicion fitues për të majtën”, - thotë deputeti i LSI-së. Ai sqaron se në zgjedhjet e vitit 2005, humbja e së majtës ndodhi pikërisht nga Partia Socialiste dhe Dushku i shkaktuar prej saj. “Është e qartë për këdo që ka zgjedhur fushatën elektorale të 2005-s se Dushku i Madh, i organizuar nga PS-ja dhe PD-ja, bëri që të mos përputheshin votat e fituara në elektorat me mandatet e fituara në Kuvend. Tashmë dihet se PS-ja për fajin e saj dhe për inat të LSI-së i orientoi votuesit më të qëndrueshëm të së majtës që të votonin për Partinë Agrare apo për PBDNJ-në dhe partitë e tjera aleate. Në rastin konkret, votat e socialistëve që u dhanë për PAA-në dhe PBDNJ-në u kthyen në votat që konsoliduan pushtetin e Sali Berishës. Këmbëngulja e lidershipit të PS-së dhe në këtë rast për të bashkëpunuar me PD-në jo vetëm nuk është naivitet, por edhe një përgjegjësi që lidershipi aktual i PS-së do të mbarë para elektoratit të saj. Bashkimi i votave për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor do të jetë një përgjegjësi e rëndë për lidershipin e Partisë Socialiste”, - shprehet Legisi.

Engjëll Bejtaj, PSD
Deputeti i Partisë Social-Demokrate, Engjëll Bejtaj, deklaron se koalicionet e mundshme nuk do ta dëmtojnë të majtën në zgjedhjet e ardhshme në rast se ato do të mbajnë qëndrim bashkëpunues ndaj njëra-tjetrës. “Duke njohur mirë veçoritë e ligjit aktual, në këndvështrimin tonë do të ishte pozitiv kandidimi me dy koalicione i opozitës. Por kjo gjë do të ishte pozitive në rast se koalicionet që do të krijohen do ta konsiderojnë njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si partnerë. Në rast se koalicionet e mundshme që do të krijohen brenda opozitës do të nisen me mendimin dhe objektivin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për t’u marrë vesh, sigurisht që opozita nuk do të shikonte aspak keq në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, përkundrazi, do të forcohej dhe do të arrinte rezultatin që dëshiron. Nga ana tjetër, në rast se koalicionet brenda opozitës do ta konsiderojnë njëri-tjetrin si kundërshtarë, sigurisht që opozita do të dëmtohej nga kjo sjellje. Normalisht ky dëmtim nuk do të ishte në nivelin e shkaktimit të humbjes së saj, por në arritjen e një rezultati të ndryshëm, nga ai që pritet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009”, - tha Bejtaj.

Paskal Milo, PDS

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, thekson se vetëm pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor do të shikohen lëvizjet e mundshme brenda së majtës për krijimin e koalicioneve. Sipas tij, fitorja e opozitës nuk do të vihet në dyshim edhe në rast se ajo do të kandidojë me dy koalicione të ndryshme. “Vetëm pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor do të shikohen lëvizjet e partive të opozitës, për t’u konfiguruar në koalicion apo koalicione. Mendoj se opozita ka shanse të mëdha për të fituar zgjedhjet, edhe nëse konkurron në koalicione të ndryshme, nëse do të ketë të tilla. Kjo fitore do të ndodhë nëse koalicionet e mundshme opozitare nuk do të merren me sulme ndaj njëra-tjetrës në fushatën elektorale, por do të kenë në shënjestër Berishën dhe qeverisjen e dështuar të tij”, - deklaron Milo.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›