E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronesise do te verifikohen me dokumentet e viteve 91-95



Vetëm pak kohë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektin e hartuar nga qeveria për verifikimin e titujve të pronësisë. Sipas këtij ligji, do të verifikohen të gjithë titujt e pronësisë të krijuar gjatë periudhës nga viti 1991 me ndarjen e tokave bujqësore që kanë qenë pronë e ish-ndërmarrjeve bujqësore, si dhe tokat e ndara në bazë të Ligjit 7501. Pra do të bëhet verifikimi i të gjithë titujve të pronësisë dhe do të merren sanksione për të gjitha rastet kur titulli i pronësisë është përfituar në mënyrë të paligjshme, me dokumente të falsifikuara apo në kundërshtim me kriteret ligjore në fuqi. Të gjitha tokat që rezultojnë të përfituara padrejtësisht do të merren nga shteti dhe do të bëhen pjesë e fondit fizik të pronave, të cilat do shërbejnë në procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve të ligjshëm.
Titujt e pronësisë që njihen
Në bazë të ligjit, do të njihen të gjithë titujt e pronësisë të dhëna për sipërfaqet, që në datën 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 7501 “Për tokën”. Po kështu do të njihen titujt e pronësisë për sipërfaqe të tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”. Qeveria gjithashtu ka parashikuar që të njohë titujt e pronësisë mbi sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në Ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
Titujt e pronësisë që nuk njihen
Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore. Familjet fshatare ose individët që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, «Për kthimin dhe kompensimin e pronës», të ndryshuar. Nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”.
Ndalimi i zënies së tokës
Ligji për vlefshmërinë e titujve të pronësisë parashikon dhe ndalimin e zaptimit të paligjshëm të tokës. Sipas këtij projekti, organet e qeverisjes vendore ngarkohen të ndalojnë çdo zënie dhe përdorim të tokës, në kundërshtim me këtë ligj. Në rastet e pushtimit të tokës bujqësore, në pronësi të shtetit, detyrimin e bërjes së denoncimit e kanë zyrat e menaxhimit dhe të mbrojtjes së tokës. Në rastet e pushtimit të tokës bujqësore, dhënë në pronësi ose në përdorim, personave që e zotërojnë, sipas ligjit, të drejtën e denoncimit e kanë vetë pronarët ose përdoruesit e tokës bujqësore. Denoncimi duhet të bëhet me shkrim pranë komisioneve vendore, të cilat nisin hetimin dhe gjobisin me gjobë pushtuesin e tokës.

Si do të kryhet procesi i verifikimit të titujve të pronësisë

Në ligj është parashikuar dhe mënyra se si do të realizohet procesi i verifikimit të titujve të pronësisë. Në bazë të ligjit, me këtë proces do të merret Komisioni Qeveritar i Tokës, që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri. Komisioni në fjalë do të drejtojë dhe do të mbikëqyrë veprimtarinë e komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë nëpërmjet vendimeve që merren në mbledhje, akteve që përgatiten nga sekretariati i KQT-së, kontrolleve që ushtrohen nga KV-të, si dhe marrjes së informacionit për ndarjen e tokës nga struktura të ndryshme shtetërore dhe nga shtetas. Ky komision gjithashtu do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, si dhe do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga KV-të për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për kalimet ose ndryshimet e sipërfaqes së tokës bujqësore nga njëri qark te tjetri, nga njëra komunë ose bashki te tjetra, nga njëri fshat te tjetri dhe të ndryshimeve të tjera të tokës, të destinuar për ndarje. KQT-ja gjithashtu u propozon organeve eprore dhënien e masave, disiplinore dhe administrative ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast, kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›