Ilir Meta: “PS-ja po rrezikon fitoren e së majtës”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, akuzon Partinë Socialiste dhe bashkëpunimin e saj të ngushtë me Berishën, si shkaktare të përçarjes dhe mosmarrëveshjes brenda kampit të majtë. Meta thekson se LSI-ja i ka dalë borxhit ish-aleates së saj. Ai i ka sugjeruar lidershipit të Partisë Socialiste për të ndërprerë bashkëpunimin me Berishën dhe për t’iu rikthyer opozitës së vërtetë, frenat e së cilës tashmë janë marrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Problemet që janë shkaktuar në kampin opozitar kanë ardhur që në krye të herës prej prishjes së marrëveshjes të bashkëpunimit të koalicionit nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste, në mënyrë krejt joparimore dhe jo transparente, duke realizuar një aleancë të paprincip me kreun e maxhorancës, zotin Berisha, dhe duke i shërbyer atij. LSI-ja nuk ndien asnjë lloj përgjegjësie, sepse i ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, në kohën e duhur, për të parandaluar një situatë të tillë politike në vend, por ju e dini që edhe sot e kësaj dite Partia Socialiste nuk i është përgjigjur një ftese zyrtare, nga kryetari i grupit tonë parlamentar për kryetaren e tyre të grupit parlamentar, për të diskutuar për diçka që nuk ka të bëjë thjesht me interesat e LSI-së apo të PS-së, apo qoftë të të gjithë opozitës, por me interesat e vendit, që është pikërisht reforma zgjedhore, sepse Partia Socialiste synon të vazhdojë politikën e faktit të kryer, duke i mbyllur këto marrëveshje dhe reforma të mëdha me Sali Berishën. Dhe më pas të bëjë edhe teatrin e radhës, sikur shkëmben replika me Berishën”, - ka deklaruar lideri i LSI-së gjatë një takimi të hapur me gazetarët. Meta theksoi se forca politike që ai drejton do të vazhdojë të forcojë rolin e saj opozitar, si dhe të mos tolerojë dhe denoncojë çdo bashkëpunim të segmenteve të opozitës, me Sali Berishën. “Lëvizja Socialiste për Integrim është sot forca kryesore opozitare në vend, është forca kryesore, e cila e ka treguar qartë Sali Berishën si përgjegjës kryesor edhe të mynxyrës së Gërdecit, është forca e parë që ka kërkuar një komision hetimor parlamentar, për këtë çështje dhe që çuditërisht nuk është mbështetur nga disa forca të tjera opozitare. LSI është forca kryesore politike në vend, e cila ka dënuar dhe ka kundërshtuar në mënyrë parimore, pikërisht shkatërrimin e thelbit të Kushtetutës, që ishte parimi i ndarjes dhe i balancës së pushteteve, që u zëvendësua me përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme, atë të kryeministrit, pikërisht të Sali Berishës dhe këtë e ka bërë për fat të keq, Partia Socialiste, në radhë të parë, ose më saktë lidershipi i saj zyrtar, se pati edhe plot deputetë të përgjegjshëm që e kundërshtuan dhe e denoncuan”, - tha ai. I pyetur në lidhje me deklaratat e deputetëve të PS-së, sipas të cilave LSI-ja po ndihmon mbajtjen e pushtetit të Berishës si në 2005-n, Meta tha se në vitin 2005 ishte PS-ja ajo që shkaktoi humbjen e të majtës, për shkak të trafikimit të votave dhe fenomenit të Dushkut. Ai theksoi se në zgjedhjet e vitit 2009, koalicioni i LSI-së do të garantojë fitoren e së majtës dhe largimin e Sali Berishës nga pushteti. Gjatë konferencës për shtyp, kryetari i LSI-së mohoi të ketë kërkuar takim me ish-kryeministrin Nano, por nga ana tjetër ai tha se gjithsekush që dëshiron të vërë në vend, Kushtetutën e cenuar natën e 21 prillit, do të jetë i mirëpritur për të bashkëpunuar.
14 Gusht 2008