Gerti Trasha kërkon falje: “Nuk e prisja të digjesha”
Dash Frashëri
Ditë ters e marta për olimpistët shqiptarë. Madje, pa lënë aspak shenjë, ose më saktë vetëm zhgënjim. Peshëngritësi Gerti Trasha, nuk arriti të gjente frymëzimin e nevojshëm 24 orë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Romela Begajt, vendi i gjashtë në Olimpiadë në peshën 58 kg për femra.
Elbasanasi, i konsideruar edhe si “Luan Shabani i ri”, dhe që garonte në peshën 69 kg, nuk arriti të realizonte asnjë nga tre provat që pati në dispozicion të tij në stilin e shkëputjes, duke u skualifikuar për të vazhduar garën për stilin e shtytjes e për të përmbushur objektivin e deklaruar prej tij para fillimit të Olimpiadës, për të qenë në 8-shen më të mirë të peshës 69 kg.
Në fakt, strategjia e trajnerit të tij, Ilir Çelaj, duhet pranuar se ishte e saktë, pasi Çelaj, prej 14 vjetësh trajner i ekipit Kombëtar vendosi që shtanga e Trashës të kishte peshën 136 kg ose 4 kg më pak, sesa kur Gerti kishte ngritur në Kampionatin Europian të Linjanos (140 kg), atje ku dhe siguroi pjesëmarrjen për herë të dytë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Nuk dihet nëse kanë ndikuar faktorë psikologjikë në performancën e Trashës, por paraqitja e tij la një përshtypje të keqe në ambientin sportiv shqiptar. “Në fakt më vjen keq sepse kanë qenë kilogramë që i kam ngritur ditë për ditë në palestër, - tha në linjë telefonike për “Top-Channel”, Gerti Trasha. “Megjithatë nuk duhet të demoralizohemi sepse përpara kemi kampionatin europian të të rinjve që do të zhvillohet në shtator në Durrës ku pretendoj të shpallem kampion Europe. I them edhe trajnerit që të mos mërzitet aspak pasi janë gjëra që i kanë ndodhur shumë sportistëve të mëdhenj. Më vjen keq se është hera e parë në jetën time që më ndodhë diçka e tillë dhe nuk e prisja të digjesha në garë”.
Katër vjet më parë, në “Athinë 2004”, Gerti Trasha, atëherë 16-vjeçar nuk pati rezultate të mira, duke zënë vendin e 13-të në peshën 62 kg, duke ngritur 115 kg në shkëputje, 140 kg në shtytje, 255 kg në total.
Por nëse në pjesëmarrjen e tij të parë në Lojërat Olimpike, mund të konsiderohej edhe si një rezultat i arritur nga një djalosh ambicioz, tashmë 20-vjeçari, i vetmi sportist kuqezi, që posedon pasaportë greke, jo vetëm që dështoi në shtangën me peshë 136 kg, por diferenca më kampionin olimpik, të paktën në stilin e shkëputjes ishte shumë e madhe, pasi kinezi 20-vjeçar ngriti 158 kg, por dhe 190 kg në stilin e shtytjes, duke fituar medaljen e artë. Gjithsesi, për peshëngritësin tonë ka një ngushëllim të vogël, pasi nuk ka qenë i vetmi ndër 30 sportistët e peshës së tij, por bashkë me Trashën nuk janë kualifikuar edhe pesë shtangistë të tjerë, përfshirë edhe kinezin 28-vjeçar Shi Zhijong ( i tërhequr në stilin e shtytjes), rumunin Rosu, italianin De Luka, kolumbianin Moskuera dhe koreanojugorin Lee.
Të mërkurën do të garojë peshëngritësi i tretë dhe i fundit shqiptar, Erkand Qerimaj, 3-herë nënkampioni i botës për të rinj në tri vitet e fundit: 2006 (Kinë), 2007 (Çeki) e 2008 (Kolumbi). Shkodrani, i cili festoi më datën 10 gusht, edhe ditëlindjen e 20-të të tij në fshatin olimpik, është shpresa e fundit për Shqipërinë për ndonjë vend elitar, të paktën në atë që u rendit Begaj. Romela, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në “Pekin 2008” ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke zënë vendin e gjashtë e duke lenë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25). Në stilin e shtytjes, Begaj ngriti 118 kg.
REZULTATET E GERTI TRASHËS
Pesha 69 kg
Në stilin e shkëputjes: dështoi në tre provat në peshën 136 kg
Në stilin e shtytjes: nuk u kualifikua pasi dështoi në stilin e shkëputjes
Në total: nuk u kualifikua
Skeda
GERTI TRASHA
Datëlindja 31.01.1988
Vendlindja: Elbasan
Sporti: Peshëngritje
Gjatësia:165cm
Pesha: 69kg
Rezultatet: Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike "Athina 2004".
2006 - Kampionati Botëror të rinj Kinë/ medalje argjendi
2007 - Kampionati Botëror të rinj Pragë/ medalje bronzi,
2008 - Kampionati Europian të rritur, Itali
2008 – Lojërat Olimpike/ u skualifikua
Pjesëmarrja në Pekin 2008": Më kualifikim ekipor nga Kampionati Europian Itali 2008
Objektivi në "Pekin 2008": Klasifikimi në 8-shen më të mirë të peshës 69 kg
Rezultatet e deritanishme të Shqipërisë
QITJE:
Lindita Kodra
10 m pistoletë me ajër: 10 gusht, vendi i 40 nga 44 pjesëmarrës
Trajner: Diana Mata
PESHËNGRITJE:
Romela Begaj, 58 kg: 11 gusht, vendi i gjashtë
Gerti Trasha, 69 kg: 12 gusht, i skualifikuar, nuk ngriti asnjë provë në stilin e shkëputjes
Trajnerë: Genc Barkiçi, Hektor Shaqiri
XHUDO:
Edmond Topalli, 81 kg, i eliminuar në turin e dytë. Në turin e parë u kualifikua me short
Trajner: Labo Capo
Për të garuar
QITJE:
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: 13 gusht (09:00-14:00)
Trajner: Diana Mata
PESHËNGRITJE:
Erkand Qerimaj, 77 kg: 13 gusht (19:00-20:40)
Trajnerë: Genc Barkiçi, Hektor Shaqiri
ATLETIKA:
Klodiana Shala, 400 m: 16 gusht (12:00-13:00)
Dorian Çollaku, çekiç: 16 gusht, (10:40-11:40)
Trajnerë: Taulant Stërmasi, Vaso Selenica
MUNDJE:
Said Prizreni, M.e lirë, 65 kg: 13 gusht (09:30-10:30)
Elis Guri. M.klasike, 96 kg: 14 gusht (09:30-10:30)
Trajnerë: Sulejman Hoxha, Besnik Shehu
NOT:
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: 14 gusht (18:30-18:58)
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: 15 gusht (18:30-18:53)
Trajner: Dashamir Bregu
Topalli e mbyll keq me xhudon
Edmond Topalli, xhudisti i vetëm shqiptar dhe i pari sportist kuqezi, pjesëmarrës i kësaj disipline në Lojërat Olimpike, mbylli pa asnjë suksese aventurën në “Pekin 2008”, duke u mposhtur nga kundërshtari i tij i peshës 81 kg, portugezi Neto Zhoao.
Shkodrani 28-vjeçar, i cili zuri një vend në Lojërat e 29-ta Verore, falë ftesës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, u eliminua në turin e dytë eliminator, pasi në të parin kishte kaluar falë shortit. Topalli, kampion kombëtar në Shqipëri në xhudo dhe me pjesëmarrje në kampionatet botërore kualifikuese në Itali (2007), Angli (2007) dhe Gjermani (2008), nuk arriti t’i imponohej një kundërshtari me përvojë si portugezi Zhoao.
“Super e mërkura”
E mërkura është dita më e ngjeshur për olimpistët tanë në Lojërat Olimpikë, pasi më datën 13 gusht do të garojnë 3 sportistë: Said Prizreni në mundjen e lirë (65 kg); qitësja Lindita Kodra, pistoletë 25 metra me zjarr dhe peshëngritësi Erand Qerimaj në peshën deri në 77 kg.
Arsenali, asnjë ofertë zyrtare për Canën
Klubi i kuq i veriut të Londrës ka kërkuar për shumë mjeshtra të mesfushës këtë verë midis të cileve: Gokhan Inler i Udinezes; Xabi Alonso i Liverpool; Gareth Barry i Aston Vilës; Marcos Senna i Villarealit; Yaya Toure i Barcelonës; Lorik Cana i Marsejeës dhe Michael Johnson i Manchester City. Mirëpo shumë nga këta lojtarë për arsye nga më të ndryshmet nuk ka qenë e mundur të jenë pjesë e skuadrës së Arsenalit. Presidenti i Marsejës, Pape Diouf e ka distancuar klubin e tij nga ndonjë marrëveshje duke insistuar se ata nuk kanë pasur asnjë kontakt me trajnerin francez të Arsenalit dhe ka përgënjeshtruar faktin që shkatërruesi shqiptar të jetë në shitje. Duke folur për "La Provence", Diouf tha: "Arsen Venger e ka numrin tim. Ai nuk me ka marrë në telefon, dhe nëse e bën, sa do të kushtojë Loriku? Unë do të filloj me dy shifra (milionëshe euro) dhe kjo shumë do t'u duket tepër e lartë atyre". Nëse Marseja shet Canën të Arsenali ai do te ishte i dyti futbollist i shitur prej saj, pas Samir Nasri, i cili do të shkonte në "Emirates".
Morati: “Murinjo është një ekspert”
Masimo Morati është më i lumtur se kurrë, kur skuadra e tij përjeton një periudhë të suksesshme, pikërisht ashtu siç tregojnë edhe rezultatet e fundit të zikaltërve. Sezoni i ardhshëm po afron dhe numri 1 i shoqërisë interiste pret me padurim momentin që të shohë realisht në aksion lojtarët e tij. Pavarësisht se në ndeshjet e fundit ka zhgënjyer dhe nuk ka bërë asnjë lloj përforcimi të rëndësishëm në merkato, Morati mendon se edhe sezonin e ardhshëm do të jetë formacioni verdhekuq rivali kryesor për kampionët e Italisë. “Roma vazhdon të jetë një skuadër shumë e fortë, ka eksperiencë, por mbi të gjitha drejtohet nga një trajner i shkëlqyer si Luçiano Spaleti. Për mua, vazhdon të mbetet rivalja jonë kryesore në luftën për fitimin e kampionatit. Milani, pavarësisht rezultateve të miqësoreve të fundit, është një skuadër me tradita dhe sigurisht që me rikthimin e Ronaldinjos nën urdhrat e Karlo Ançelotit, do të ndërrojë menjëherë fytyrë. Ndërkohë që Juventusi nuk e ndryshon asnjëherë karakterin e saj agresiv dhe shpirtin luftarak të kampionëve që ka. Sa për të tjerat, vetëm Fiorentina mund të bëjë ndonjë surprizë kundrejt skuadrave të mëdha të Serisë A”, analizon kampionatin e ardhshëm të Serisë A, presidenti zikaltër, Masimo Morati. Për sa i përket Ligës së Kampioneve, Interi i ka idetë e qarta: “Nuk i njoh mjaftueshëm kundërshtaret tona në këtë kompeticion, për të dhënë një mendim se deri ku mund të shkojë skuadra jonë në Ligën e Kampioneve. Murinjo është një ekspert në një kompeticion të tillë, por edhe lojtarët tanë tashmë kanë fituar eksperiencën e duhur për të korrur sukses në Champions. Faza përgatitore? Kam parë një Inter të karrikuar në maksimum dhe jam plotësisht i kënaqur nga rendimenti i tij. Trajneri ynë ka marrë menjëherë në dorë situatën nga pikëpamja taktike, ndërkohë që do të jetë fusha ajo që do të gjykojë realisht vlerat tona”.
Presidenti i Interit saktëson gjithashtu se nuk do të ketë asnjë tjetër ndërhyrje në merkato, duke përgënjeshtruar kështu edhe zërat mbi mbërritjen e portugezit Kuarezma në Milano: “I vetmi problem që aktualisht vuajmë, janë lojtarët e pakët në repartin e mbrojtjes. Kam biseduar me Murinjon për këtë çështje, por ai është i bindur se nuk ka më nevojë për ndërhyrje. Kështu që, duke qenë se nuk do të lëvizim më në merkato për ndonjë përforcim të nevojshëm, bollëku në mesfushë i bën të kota shpenzimet e tjera për Kuarezmën”. Morati shprehet shumë i lumtur edhe për rikthimin e bujshëm të “Perandorit”, i cili me golin e tij i dhuroi Interit triumfin kundër Ajaksit: “Nën urdhrat e Murinjos, duket se ka gjetur një rendiment të shkëlqyer. Adriano i ka vënë një synim vetes dhe duhet ta arrijë atë. Është shumë i lumtur për paraqitjet e tij, tani i duhet vetëm të ecë me këto ritme”, përfundon presidenti i skuadrës së Interit.
13 Gusht 2008