Berisha: Kthimi i “Nënë Terezës”, pa konflikt me Indinë
Kryeministri Sali Berisha është i vendosur në nismën për rikthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri pa u tërhequr prej saj, por edhe pa krijuar konflikt me Indinë. Kryeministri Berisha sqaroi dje për gazetarët arsyet ku bazoi pak ditë më parë kërkesën për të kthyer në Shqipëri eshtrat e Nënë Terezës. Kryetari i qeverisë bëri të qartë se arsyet janë njerëzore dhe nuk do të mund të ktheheshin kurrsesi në subjekt të kundërshtive me Indinë. Z. Berisha pohoi se Nënë Tereza i përket pa diskutim Indisë, pasi në atë vend ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë, të mbarë njerëzimit, por duke bërë të qartë se kërkesa e tij për kthimin e eshtrave në Tiranë është njerëzore për ta prehur pranë nënës dhe motrës së saj. “Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po të kishte mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them, është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar, që bashkon dy kombet tona, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona”, - u shpreh Kryeministri. Në ditën që shënon Lumturimin e Nënë Terezës, Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur të takojë misionaret e urdhrit të saj. Në Tiranë ndodhet një nga strehëzat, ku motrat e Urdhrit të Nënës së madhe me origjinë shqiptare u shërbejnë të paktën 50 personave me nevoja specifike dhe pa të ardhura ekonomike. Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha, takoi banoret e përhershme të kësaj shtëpie, ku u njoh me faktin se krahas tyre, falë ndihmave të shoqatave të ndryshme joqeveritare, ndihmohen të paktën 100 familje të tjera në nevojë. Kryeministri garantoi se qeveria që drejton, mbetet e angazhuar të ndihmojë në këtë drejtim, duke u ofruar më shumë garanci për një jetë më të mirë këtyre njerëzve. Kjo strehëz trajton tri kategori njerëzish me nevoja specifike, të moshuar të braktisur, para dhe tetraplegjikë si nëna të reja pa bashkëshort. Vizitën e tij në këtë strehëz Kryeministri e shoqëroi me ofrimin për banorët e saj të një sasie të konsiderueshme ndihmash në ushqime. Po kështu, ndihma ofroi dhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë me presidente zonjën Liri Berisha.
Kthimi i eshtrave, Mali i Zi, përkrahje Berishës
Mali i Zi do ta mbështesë nismën e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës nga India në Shqipëri. Një fakt të tillë e bëri dje të ditur gjatë një aktiviteti në Tuz, ministri Ferhat Dinosha, i Pakicave në Malin e Zi. “Përshëndesim nismën e Kryeministrit shqiptar Berisha për të kthyer eshtrat e Nënë Terezës në Shqipëri. Mali i Zi do ta mbështesë atë në realizimin e kësaj nisme”, - mësohet të jetë shprehur Dinosha në një aktivitet me rastin e përkujtimit të lumturimit të përfaqësueses së madhe shqiptare në mbarë botën. Deklarata e tij mbështetëse bëhet në një kohë kur nisma e Kryeministrit Berisha ka pasur një përgjigje negative nga autoritetet indiane, sipas të cilave, Nëna Terezë ka nënshtetësi indiane dhe prandaj meriton të prehet në tokën e tyre. Por, duket se faktori shqiptar është i interesuar që ta sjellë atë sa më afër tokës së tij, e duket se nisma e deklaruar fillimisht nga Kryeministri Berisha po gjen mbështetje edhe nga pranitë e tjera shqiptare në rajon, siç është rasti në fjalë, ai i pakicës në Malin e Zi.