E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ku ngjason PD-ja ime me Partinë Komuniste Kineze



Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vazhdon të jetë i bindur për ngjashmëri dhe të përbashkëta thelbësore midis partisë që ai drejton dhe Partisë Komuniste Kineze. Ashtu siç bëri edhe një vit më parë, Berisha, gjatë vizitës së tij të djeshme, ka insistuar se PD-ja që ai udhëheq prej 17 vjetësh ka shumë ngjashmëri me Partinë Komuniste Kineze, që qeveris Kinën prej dhjetëra vitesh. Sipas Berishës, Partia Demokratike dhe Partia Komuniste Kineze kanë ndryshuar Shqipërinë dhe Kinën. “Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste Kineze kanë realizuar ndryshime rrënjësore në vendet e tyre me programet e paraqitura”, - u shpreh Berisha menjëherë pasi arriti të ngjiste 1500 shkallë të Murit të madh Kinez. Madje për këtë ai u vlerësua edhe me një certifikatë nga autoritetet vendore, pasi, sipas tyre, asnjë kryeministër i huaj që kishte vizituar Murin e madh Kinez, nuk kishte arritur të ngjiste kaq shumë shkallë. Por edhe këtë arritje personale, Berisha nuk ka hezituar ta paralelizojë me fushatën elektorale. “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë që ka bërë një kryeministër tek ky mur. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore, aq dhe elektorale”, - u shpreh Berisha.
Përsa u përket takimeve zyrtare në Kinë, kryeministri Berisha ka hedhur idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike për sipërmarrjet kineze që do të investojnë në Shqipëri. Këtë propozim kreu i qeverisë shqiptare e bëri gjatë një takimi me presidentin kinez, Hu Jintao, ku u tregua i gatshëm t’u ofrojë investitorëve të mëdhenj kinezë lehtësira fiskale.
Shaban Sulçe

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›