E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e PD-së, “luftë bërrylash” për një vend në listë



Eljona Ballhysa
Më afrimin e fushatës zgjedhore është rritur interesimi për listat e kandidatëve për deputetë. Të interesuar për një vend në listë janë jo vetëm deputetët aktualë, por edhe intelektualë, ekspertë, punonjës të administratës shtetërore, të cilët kërkojnë të bëjnë karrierë në politikë. Por duket se situata në këto zgjedhje është ndryshe nga ajo e vitit 2005. Burimet bëjnë të ditur se hapësirat për të përfshirë kandidatë të rinj në listat e PD-së janë më të ngushta se ato në vitin 2005, kur PD-ja krijoji Komitetin e Orientimit të Politikave. Shumica e anëtarëve të KOP-it u përfshinë menjëherë në listat e deputetëve dhe pas zgjedhjeve shumë prej tyre u “bekuan” dhe me portofola ministrorë. Në zgjedhjet e qershorit pritet që PD-ja të përfshijë të rinj në listat e kandidatëve për deputetë, kryesisht punonjës të administratës shtetërore apo ekspertë ligjorë, por mbetet në pikëpyetje renditja e tyre në lista. Për të zënë një vend në listë, të rinjtë duhet medoemos të kenë lidhje apo njohje me figurat me peshë të PD-së.
Renditja
Sipas burimeve në PD, të parët në listat e kandidatëve për deputetë pritet të jenë deputetët aktualë që do të rikandidojnë. Ashtu sikurse është vënë re kohët e fundit, figura të njohura të PD-së kanë nisur një tur paraelektoral në komuna e rrethe të ndryshme të vendit, duke qartësuar dhe kandidimin e tyre në këto zona. Megjithëse jo zyrtarisht, tashmë janë bërë të ditur emrat e parë të PD-së në lista, në qarqet kryesore të vendit, ku mbizotërojnë emrat e njohur të deputetëve aktualë, të lidershipit të PD-së. Në vendet e para në lista pritet gjithashtu të përfshihen një numër i konsiderueshëm kandidatesh femra. Kjo është e kushtëzuar nga Kodi i ri Zgjedhor, sipas të cilit në listë duhet të përfshihen jo më pak se 30% e grave. Ndërkohë që emrat e rinj, sipas burimeve, mund të zënë një vend nga mesi ose nga fundi i listës. Kryesisht, sipas burimeve, pritet që në listë të përfshihen nëpunës të administratës shtetërore, këshilltarët e kryeministrit Berisha apo të kryetares së Kuvendit, ekspertët që janë marrë me hartimin e projektligjeve të ndryshme, drejtorë drejtorish, apo ndonjë kryetar dege i PD-së. Hapësirat e ngushta për përfshirjen në lista janë krijuar dhe për faktin se asnjë deputet i vjetër i PD-së nuk është tërhequr nga politika. Madje ata, me gjithë mungesën e ideve të reja, vazhdojnë të kryesojnë listat e PD-së.
Hapësirat
Në vitin 2005 u vu re një fluks të rinjsh në listat e PD-së. Krijimi i KOP-it krijoi hapësira të mëdha për të rinjtë për t’u përfshirë në politikë. Kjo ishte një strategji e PD-së, e cila kishte tetë vite në opozitë dhe krijimi i KOP-it solli një imazh të ri në sytë e publikut. Përfshirja e të rinjve solli një “erë” të re ndryshimi në selinë blu. Por, me krijimin e qeverisë, KOP-i pushoi së ekzistuari dhe sipas deputetëve të PD-së nuk ka gjasa që gjatë kësaj fushate KOP-i të rimëkëmbet. Ndaj paraqitet ndryshe situata gjatë kësaj fushate. Për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë emrat e rinj që kërkojnë të bëjnë karrierë në politikë duhet domosdoshmërisht të kenë të njohur deputetë me emër të PD-së në mënyrë që të përfitojnë një vend në listë.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›