E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Gjykata Kushtetuese ndalon komisionet hetimore për pushtetarët vendorë

Reagon maxhoranca: Jemi të vendosur të hetojmë Ramën. Meta bashkohet me PS-në: Nuk ka kohë për komisione hetimore

Partia Socialiste është shprehur dje kategorikisht kundër nismës së PD-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Bashkë me PS-në për këtë çështje është radhitur edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili është shprehur dje se nuk ka më kohë për komisione hetimore. Ndërkohë që deputetët e PD-së duken më të vendosur se kurrë për të hetuar kreun e PS-së. Madje pritet që ky komision të miratohet gjatë seancës së ditës së enjte, pas kërkesës së firmosur nga 40 deputetë të PD-së dhe aleatë të kësaj partie.
Socialistët
Gjatë një deklarate për shtyp, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ndalon Kuvendin të hetojë mbi pushtetarët vendorë. Më tej Braçe ka akuzuar qeverinë, kryeministrin dhe familjarët e tij për korrupsion dhe abuzime me pushtetin.
“Kryeministri Sali Berisha po pengon hetimet për Mediun, Bashën, Bumçin dhe Pangon, si dhe për Balliun e Fazlliçin. Ndërsa ndërkombëtarët e kritikojnë qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit, ku në krye të piramidës qëndron kryeministri Berisha, i cili sulmon Prokurorinë”, - është shprehur Braçe.
I pyetur për ngritjen e komisionit hetimor për Ramën, kreu i LSI-së, Meta, është shprehur se nuk ka kohë për komisione hetimore, por për realizimin e procesit zgjedhor, ku parësore është pajisja e qytetarëve me letërnjoftime. “Nuk është koha për komisione hetimore, të cilat nuk zgjidhin asgjë në një vend kur Parlamenti shkon drejt mbylljes dhe qytetarët përgatiten për të zgjedhur Parlamentin e ri. Është koha që ky Parlament, i cili dështoi në bërjen e një reforme zgjedhore dhe të një kodi zgjedhor të standardeve europiane, të mos e mbyllë mandatin e tij pa zgjidhur çështjen e kartave, sepse, e theksoj dhe njëherë, se do të bëhemi gazi i botës”, - është shprehur Meta.
Maxhoranca
Nga ana tjetër, demokratët duken mëse të vendosur që vetëm dy muaj para zgjedhjeve të hetojnë kreun e PS-së, Rama, të cilin e akuzojnë për abuzime me lejet e ndërtimit. “Askush nuk mund të dalë mbi Kuvendin e Shqipërisë dhe askush nuk mund ta ndalojë Kuvendin e Shqipërisë për të ushtruar pushtetin e tij, që buron nga vullneti i qytetarëve. Pra Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të pushtetit të vet sovran, do të hetojë si është zbatuar ligji për urbanistikën nga Edi Rama. Edi Rama, në konflikt interesi, në mënyrë monopoliste dhe klienteliste, ka gllabëruar paratë e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka shpëtim. Kuvendi i Shqipërisë do të hetojë Edi Ramën”, - tha deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj.
Vetëm pak ditë më parë 40 deputetë të maxhorancës depozituan në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit të dytë hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e cila e akuzoi Ramën për abuzime me të paktën 19 leje ndërtimi.
“Edi Rama, kryetari që vetëm 3 ditë më parë zhvati për vete dhe Eftimin e tij 19 leje ndërtimi nga 28 të miratuara në KRRT-në e Tiranës, nxori në tregun mediatik yllin shkëlqimtar të politikës së re, asistentin e Dondollakut me serialin e shpifjeve dhe trillimeve të denja për të. Me një tellall si Braçja, Edi Rama ka vetëm një qëllim,
të zhurmojë vjedhjen e papërmbajtur të taksave të katërfishuara të gjelbërimit dhe pastrimit në Tiranë, të zhurmojë aktin e paprecedent të marrjes në një mbledhje të vetme të 19 lejeve të ndërtimit, duke shënuar kështu rekordin e vjedhjeve dhe korrupsionit në historinë e Shqipërisë”, - është shprehur Mëhilli.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›