E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD: ”Qeveria, e paaftë për të përballuar krizën”



Kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, deklaroi se vendi ndodhet në krizë ekonomike. Në takimin me strukturat e PSD-së në qarkun e Kukësit ai tha se PD-ja nuk garantoi atë çka premtoi. “Kjo nuk është për shkak të krizës botërore, por kjo ka ardhur nga paaftësia e qeverisë dhe nga papërgjegjshmëria e saj”, - u shpreh Gjinushi. Ai akuzoi të djathtën për korrupsion të lartë dhe për konflikte institucionale. Kryetari i PSD-së deklaroi se qeveria e ka mbaruar misionin e saj dhe se qeveria e drejtuar nga Berisha nuk ka të drejtë të rikërkojë votën e shqiptarëve në zgjedhjet e qershorit. Gjinushi tha se PSD-ja ka paralajmëruar se rikthimi i Berishës do të ishte rikthim mbrapa, se aftësitë e tij qeverisëse Berisha i ka treguar që në ‘92-’97-n, prandaj, vijoi Gjinushi, edhe në 2005-n ai nuk mund të ofronte as të renë, as ndryshimin, as përmirësimin. Sipas tij, bashkimi i së majtës, ku PSD-ja bën pjesë, do të sjellë ndryshimin që i duhet vendit.

Milo: “Nëse zgjedhjet lihen në dorën e Berishës, do të jenë kopje të ’96-s”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi nga Lushnja se Berisha do të prodhojë Gërdec të tjerë politikë në qoftë se zgjedhjet do të lihen në dorën e maxhorancës dhe të kryeministrit shqiptar. Ai u shpreh se Berishës i duhet bërë presion për të mos pasur zgjedhje të manipuluara. “Nëse e lëmë Berishën që të administrojë të gjithë procesin deri në fund, pa e trazuar, pa e vënë në presion, pa i kërkuar të plotësohen standardet e kërkuara, atëherë të jemi të sigurt se do të kemi një kopje të zgjedhjeve të manipuluara si ato të vitit 1996”,- tha Milo.
Kreu i PDS-së e quajti kryeministrin si prodhim të vjetër të kohës së vjetër. Milo deklaroi se Berisha, për 18 vjet rresht, u ka dëshmuar shqiptarëve që dora e tij e hekurt është jo për të ndërtuar, por për të prishur, që demagogjia e tij është klasike, që mashtrimi i tij është profesional.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›