Zogaj: “Përplasjet për kartat e identitetit rrezikojnë liberalizimin e vizave”
Përplasjet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe jashtë tij, mund të frenojnë procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, thotë se pavarësisht deklaratave optimiste të ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, përplasjet për kartat e identitetit dhe impakti që mund të kenë në datën e zgjedhjeve rrezikojnë seriozisht tërë procesin me vizat. “Do të ishte një lojë e rrezikshme me interesat e vendit shtyrja pa arsye, sepse mund të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme dhe janë parashikuar rastet kur mund të shtyhen zgjedhjet. Por të shtyhen zgjedhjet për teka, kjo është një gjë e paimagjinueshme”,- deklaroi Preç Zogaj. Zgjedhjet, sipas Zogajt, do të jenë testi që do të mundë skepticizmin e BE-së për të përafruar datën kur shqiptarët do të mund të lëvizin të lirë në Union. “Kemi përpara një test tjetër, që janë zgjedhjet e 28 qershorit. Ato do të jenë vendimtare për të mundur skepticizmin e ndonjë vendi të BE-së, që shprehet me rezerva”, - është shprehur Zogaj.
21 Prill 2009