Haxhinasto në Strasburg, Shqipëria merr presidencën e KiE më 2012
TIRANË Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një vizitë pune në Strasburg, ku mori pjesë në ceremoninë e kalimit të presidencave të Komitetit të Ministrave nga Ukraina te Britania e Madhe. Pjesëmarrja e ministrit Haxhinasto në këtë ceremoni ishte në cilësinë e Presidentit të ardhshëm të KiE-së, në maj të vitit 2012. Marrja e presidencës së KiE nga Shqipëria pas afro 17 vitesh anëtarësimi në këtë organizatë, pritet të shënojë një moment historik për Shqipërinë. Gjatë kësaj vizite ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi një takim me sekretarin e Përgjithshëm të KiE-së, Thorbjørn Jagland. Në këtë takim ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Këshillit të Europës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe kontributin që kjo organizatë ka dhënë në konsolidimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, reformën zgjedhore etj. Duke u ndalur në presidencën ardhshme të Shqipërisë, ministri Haxhinasto theksoi se Shqipëria do të ndjekë prioritetet e trojkës Ukrainë-Britani-Shqipëri si dhe do të organizojë një konferencë me pjesëmarrjen e vendeve të KiE-së dhe Afrikës së Veriut, për të identifikuar fushat e asistencës për këto vende në tranzicion drejt shoqërive demokratike, ide e cila u mirëprit nga z.Jagland. Ministri theksoi se Shqipëria do të vijojë me prioritetet e trojkës, veçanërisht të asaj britanike, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me sekretariatin për t’i realizuar këto prioritete me efikasitet. Gjatë takimit, Jagland tha se ai është i impresionuar nga zhvillimet në Shqipëri dhe se është i bindur që Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Më herët, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme u takua me përfaqësuesen e sekretariatit të KiE-së znj. Mireille Paulus, për të bërë një paraqitje të punës përgatitore gjatë gjashtë muajve të ardhshëm përpara se Shqipëria të marrë presidencën e KiE-së në maj të vitit 2012. Gjatë takimit, Haxhinasto e informoi përfaqësuesen e KiE-së në lidhje me përgatitjet që Shqipëria ka bërë deri tani.