PS, deputetët e ligjeve hartojnë axhendën e ligjeve
Për t’i dhënë jetë mirëkuptimit të arritur mes palëve parimisht për nisjen e diskutimit nga e para të nismave ligjore me 3/5-at, grupi parlamentar socialist me kërkesë të kryetarit Edi Rama, ka mandatuar deputetët socialistë të komisionit të Ligjeve që të hartojnë planin e detajuar të veprimit. Të gjithë deputetët e majtë të komisionit të Ligjeve janë mbledhur pas mbledhjes, ku kanë diskutuar për hapat që duhet të hidhen më tej për të konkretizuar këtë konsensus të nisur me palën tjetër. Ata kanë vendosur që dritën jeshile që është hapur nga pala tjetër ta shfrytëzojnë për të paraqitur së pari një axhendë të detajuar veprimesh për çdo nismë ligjore që pret për t’u miratuar, si dhe të paraqesin propozime konkrete për të gjitha ato çështje, për të cilat ata mendojnë se duhet ndërhyrë më gjerë dhe më thellë. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se deputetët e majtë kanë vendosur që shumë shpejt të paraqesin një kalendar të detajuar për secilën nismë, ndërkohë që është rënë dakord që diskutimi në komisionin e Ligjeve të mos jetë thjesht formal, por të shërbejë që këto nisma t’i nënshtrohen një debati të thellë, duke përfshirë dhe mendimin e grupeve të interesit. Në këtë mënyrë, deputetët e majtë do të paraqesin propozime konkrete për të gjitha nismat që vlerësojnë se kanë nevojë për ndërhyrje rrënjësore, ndërkohë që për nismat e tjera të cilat konsiderohen të thjeshta, ato mund të kalojnë kundrejt vetëm një oponence normale në komision.