E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mustafaraj: PS të votojë ligjet me 3/5

Partia Demokratike nuk e ka pritur mirë planin për integrimin, të propozuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar, që ka si qëllim miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, deklaroi dje se Rama (përpos fjalëve) po vazhdon të bllokojë votimin në Parlament të ligjeve me 3/5-at, me qëllim bllokimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Ai sot në fjalën e tij në grupin parlamentar nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në Parlament, për të bllokuar statusin e kandidatit”,- tha dje Mustafaraj. Megjithatë, PD-ja la të hapur mundësinë e bashkëpunimit për çdo amendim që mund të sjellë opozita lidhur me ligjet me 3/5-at. “Në qoftë se PS-ja ka kundërshtime thelbësore për këto ligje, ajo mund t’i kishte paraqitur dhe mund t’i paraqesë në çdo kohë, por deri më sot nuk kanë sjellë as edhe një propozim të vetëm. Partia Demokratike fton z. Rama që të lërë mënjanë axhendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e grupit të tij parlamentar dhe t’i lejojë deputetët e PS-së të votojnë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit. Partia Demokratike është e përkushtuar jo me fjalë por me vepra konkrete, rritje rrogash dhe pensionesh, krijim të vendeve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimeve e spitaleve, investime të huaja të mëdha, të çojë përpara procesin e integrimit të vendit në BE”,- tha dje Mustafaraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›