Berisha: Kurrë nuk rihapen kutitë
adi shkembi
Maxhoranca konfirmon qëndrimin e saj për të mos hapur kutitë e votimit me gjithë insistimin e PS-së, si kushti i vetëm që ajo të kthehet në Parlament. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë tha se nuk është në dorën e tij hapja e kutive, për shkak se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor. “Me gjithë dëshirën e madhe që kam dhe që e kam faktuar në mënyrë të përsëritur, për të plotësuar kërkesat e opozitës, theksoj se kjo kërkesë është tërësisht e kundërligjshme, bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe, për rrjedhojë, Kryeministri dhe qeveria nuk kanë në dorë as edhe një mekanizëm të vetëm ligjor për plotësimin e saj. Kjo, sepse kërkesa e zotit Rama për rinumërimin e kutive të votimit në qarqet Berat, Tiranë, Shkodër, Fier është hedhur poshtë si një kërkesë e pabazuar në ligj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por, ajo që është vendimtare, nga Kolegji Zgjedhor”, theksoi kreu i Ekzekutivit. Duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003, Berisha tha se vendimet e komisioneve hetimore nuk mund të dalin mbi vendimet e gjykatave. “Kërkesa e zotit Rama është e paligjshme dhe antikushtetuese dhe ne nuk kemi mekanizëm që ta plotësojmë. Kjo, sepse vërtet komisionet hetimore ngrihen sipas nenit 77 të Kushtetutës, si dhe ligjit nr. 8891, i miratuar në datën 02.05.2002, kur socialistët kanë qenë shumicë, por ky ligj përcakton në mënyrë eksplicite, në nenin 3 pika 4, se komisioni hetimor nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave”, tha më tej Berisha. “Partia Socialiste ka konsumuar të gjitha rrugët e apelimit dhe tani kërkon që ne të krijojmë një gjykatë të lartë për Kolegjin Zgjedhor, gjë, të cilën ne nuk mund ta bëjmë kurrë. Zoti Rama dje u tha shqiptarëve se po rinumërohen votat në Greqi dhe Afganistan. Jo, zoti Rama, votat janë rinumëruar edhe në Shqipëri, por që të gjitha, në Afganistan, në Greqi, në Shqipëri dhe kudo janë rinumëruar nga piramida e vlerësimit të zgjedhjeve. Shqipëria ka krijuar dy komisione të tjera parlamentare për zgjedhjet dhe në asnjë rast dhe rrethanë nuk kanë hapur qoftë edhe një kuti të vetme, sepse mbi kutitë rëndonte vendimi i gjykatave”, theksoi më tej Berisha.