E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Në zgjedhjet për kreun e PS pati mbushje kutish, s’e djeg mandatin e deputetit se do Rama

 

Deputeti socialist Ben Blushi denoncoi dje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se zgjedhjet për kryetar në PS ishin të manipuluara dhe rezultati i paravendosur. Blushi tha se nuk do lejojë që bojkoti ndaj Parlamentit të vazhdojë përtej përcaktimit kushtetues, ndërsa tha se modeli Rama premton vetëm bojkot dhe jo strategji dhe platformë se si do vijmë në pushtet.
Pas zgjedhjes së tij sërish si kryetar, Rama nuk po e lë bojkotin. Përse?
Vendimin për bojkot e mori para se të bëhet kryetar. Gjatë fushatës për të rimarrë postin e kryetarit, zoti Rama nuk paraqiti ndonjë platformë që do ta sillte partinë në pushtet. Rama dha vetëm një premtim, bojkot dhe këtë premtim po e mban. Zoti Rama e ka cilësuar Parlamentin si një institucion të panevojshëm. Nëse do të ishte vetë deputet, nuk do ta thoshte këtë gjë. Ky është dhe shkaku pse ai nuk hyri në listë për deputet. Është unik në politikën botërore që kryetari i një partie që kërkon të marrë pushtetin të mos hyjë në garën për deputet.
Ju do të hyni në Parlament?
Unë një ditë do të hyj në Parlament dhe shpresoj se do të hyj atë ditë që do të hyjë dhe PS-ja.
Cili është kufiri që ju nuk do toleroni më?
Kufiri është kushtetues, i cili na djeg mandatet, unë nuk do lejoj që ta djeg mandatin tim pse do Edi Rama.
Ju jeni një nga kritikët më të fortë të Edi Ramës, por as nuk hytë në zgjedhje përballë tij dhe nuk morët pjesë në votim?
Nuk vajta në zgjedhje për kryetar, sepse nuk kisha alternativë tjetër, Edi Rama ishte humbës dhe unë i kisha kërkuar të largohej, ndërsa Maqo Lakrori ishte kandidat kukull. Unë nuk mund të votoja për Edi Ramën, sepse ai ka humbur zgjedhjet. Qëndrimi im ishte refuzim ndaj këtij procesi, jo vetëm për cilësinë e kandidatëve, por dhe për kushtet e garës në të cilën u zhvilluan zgjedhjet në PS.
Pse nuk hytë në garë me Ramën?
U pa se nuk kishte kushte gare, gara ishte e paravendosur, sepse Arben Malaj kërkoi kushte gare, komisionerë dhe kjo gjë iu mohua në mbledhjen e kryesisë. E dyta, kjo është arsyeja ime, besova dhe besoj se, një garë e imja përballë Edi Ramës do kishte një kosto më të lartë për PS-në. Nuk është hera e parë që bëj sakrifica edhe për të shpëtuar PS-në nga një përplasje e madhe.
Si do ta mundni Edi Ramën?
Unë nuk jam në garë me Edi Ramën. Qëllimi im është të ndihmoj PS-në që të mundim Sali Berishën.
Zgjedhjet e PS-së dhe të përgjithshme kishin ndryshim mes tyre?
Në të dy rastet ka pasur mbushje kutish dhe në të dy rastet ka pasur lista të këqija dhe numërim të keq. Zgjedhjet e PS-së nuk ishin më të mira se ato të 28 qershorit. Jetoj në PS dhe marr opinionet e njerëzve. 93% e votave nuk është shumicë e vërtetë. Sepse nuk ka shumicë me 93% në këtë planet. Listat e PS-së janë fryrë me 53% dhe është shtuar me 15 mijë anëtarë vetëm muajt e fundit. Kjo nuk është një shumicë e vërtetë. Kjo shumicë shumë shpejt do të flasë.
Mendoni se duhen hapur kutitë?
Unë jam për hapjen e kutive. Nëse Rama do kishte kërkuar që të mos përsëritej më kjo gjë, do duhej të ndryshonin rregullat. PS-ja duhet të kishte kushtëzuar që në ligjin zgjedhor të mos ketë më dy interpretime. Duhet të sqarohet se si bëhet dhe kur bëhet rihapja e kutive të votimit. Ajo që është më e keqe është se faktori ndërkombëtar dhe Evropa nuk po inkurajon bojkotin e PS-së.
A ia vlen apo jo të qëndroni në PS sepse ajo nuk po e kundërshton Edi Ramën?
Pse duhet menduar se kush grindet me kryetarin e partisë duhet të ikë nga partia. Kjo nuk është arsye për të ikur. Unë jam i bindur se PS-ja i dha Ramës një votë mëshire pas humbjes, por jo një votë për të bërë këtë që po bën. Vota që mori nga PS-ja nuk ishte për të mos hyrë në Parlament, për të bojkotuar zgjedhjet e njëpasnjëshme. Votimet brenda partive i japin zakonisht votën kryetarit të saj, prandaj vendoset në statut që në rast humbjesh, kryetari duhet të ndërpresë mandatin. Edhe Toni Bler dhe Veltroni nëse do hynin në garë pas humbjeve të tyre, të jeni të bindur se do të rizgjidheshin, këto janë akte koshience.
Keni ju një model politik për të ofruar?
Berisha është një model autokrat, i cili nëse do kishte zbatuar rregullat e lojës nuk do ishte në politikë. Ai ka shkelur të gjitha ligje, statutet etj. Ju mendoni se Ilir Meta ka një parti demokratike, jo ka një parti private. Ju mendoni se Edi Rama pas humbjes së zgjedhjeve po sillet në mënyrë demokrate. Jo. Nëse Shqipëria do mbështetet në këto modele e keni gabim. Unë po kërkoj të sjell një model të ri politik në politikë. Mund të ketë më shumë kandidatë autokratë në Shqipëri në krye të partive, por kjo mua nuk më nxit fare, sepse nuk jam unë ai model. Unë jam model i atij që thotë atë që mendon. Ndoshta një ditë do kërkoj vota me këtë model që them.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›