Ligji i ri, sekuestro pasurisë edhe pa dosje në Prokurori
Armand Bajrami
Pasuria që dyshohet se është vënë nëpërmjet veprimtarive kriminale mund të sekuestrohet, ndonëse ndaj personit që e zotëron atë nuk ka filluar një procedim penal. Praktika e re është një nga nenet e shtuara në projektligjin e shqyrtuar dhe miratuar dje në parim në Qeveri. Bëhet fjalë për projektligjin "për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9284, datë 30.09.2004 "për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar". Nevoja për ndryshime në ligjin ekzistues lindi gjatë procesit të përgatitjes për liberalizimin e vizave. Kjo, për të krijuar një kuadër ligjor që do të rregullojë procedurat e sekuestrimit dhe të konfiskimit të aseteve të paligjshme të krijuara nga krimi i organizuar, si mjet efikas për goditjen dhe parandalimin e tij. Ndonëse në legjislacionin shqiptar ekzistonte një ligji "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", i miratuar në vitin 2004, një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë i datës 25.01.2007 e kufizonte zbatimin me efektivitet të tij. "Kjo pasi vendimi i Gjykatës së Lartë ndaloi sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha aseteve, fondeve apo pasurive të tjera të blerë ose fituar nga personat e dënuar përpara se ndaj tij të hapej çështja penal", thuhet në relacionin shoqërues të Ministrisë së Drejtësisë për projektligjin.
NDRYSHIMET
Projektligji ndryshon dhe përmirëson rregullat me qëllim ndarjen e saktë të procesit civil të sekuestrimit e konfiskimit të pasurive të paligjshme nga procesi penal, duke vënë theksin që procedura zhvillohet kundër pasurisë dhe jo kundër personit. Në këtë mënyrë, Gjykata mund të vendosë masë sekuestro apo konfiskim në një procedim gjyqësor ndaj personave të dyshuar, ndonëse ndaj tij nuk ka filluar një procedim penal, që ka lidhje me pasuritë ndaj të cilave vepron ky ligj; ka filluar një procedim penal apo ka përfunduar një procedim penal.
Në projektligjin e ri saktësohet se si bazë për fillimin e procedurave verifikuese të ligjit do të shtohet edhe "standardi i pajustifikuar i jetesës, çka nënkupton nivel ekonomik të një personi që zotëron pasuri dhe të ardhura që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave të deklaruara dhe justifikohet prej tyre. "Gjykata me kërkesë të prokurorit mund të vendosë masën parandaluese të sekuestrimit edhe kur në bazë të të dhënave të mjaftueshme rezulton dukshëm se personi i dyshuar ka një standard të pajustifikuar jetese", citohet në relacion. Mësohet se në këtë shtesë është konsideruar fakti se shpesh këta persona, ndonëse në dukje duket se kanë disa pasuri, të cilat mund t'i kenë deklaruar, në realitet kanë një mënyrë jetese me kosto të shtrenjtë, e cila nuk justifikon standardin e jetesës që bëjnë në raport me këto pasuri që zotërojnë në dukje.
Ndërsa fusha e veprimtarisë së ligjit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të siguruara nga veprimtari kriminale do të zgjerohet duke e shtrirë edhe te trashëgimtarët e zotëruesit të pasurive të paligjshme nën një afat të caktuar.
Paragrafi i dytë në nenin 15 të ligjit lejon "vazhdimin e procedurës kur personi pasuria e të cilit nuk gjendet".
Në bazë të ndryshimeve të reja, objekt verifikimi për Prokurorinë do të jenë edhe pasuritë e lakuara tek të tretët. "Objekt verifikimi edhe pasuritë e kaluara tek të tretët nëpërmjet veprimeve juridike fiktive ose të simuluara, duke konstatuar njëkohësisht edhe pavlefshmërinë absolute të tyre", sqarohet në relacion. Në projektligjin e ndryshuar parashikohen edhe rastet kur gjykata vendos pranimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë së personit të dyshuar, ndaj të cilit pushon procedimi penal. Mësohet se pavarësisht se procedimi penal ndaj personit mund të pushojë, kjo nuk duhet të konsiderohet si pengesë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së tij sipas parashikimeve të këtij ligji.
NENET E PROJEKTLIGJIT
Neni 2/2
Për qëllim të zbatimit të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. Masë parandaluese, është çdo lloj mase me karakter pasuror që gjykata vendos në një procedim gjyqësor, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, aktivitetit ekonomik, tregtar dhe profesional të personave të dyshuar, nëpërmjet konfiskimit të tyre
2. Person i dyshuar, është përveç kuptimit të dhënë në Kodin e Procedurës Penale, personi që zotëron pasuri si rezultat i veprimtarisë së paligjshme, pavarësisht faktit nëse ndaj tij ka filluar, vazhdon apo ka përfunduar një procedim penal
3. Standard i pa justifikuar jetese, është niveli ekonomik i një personi, i cili zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.
Neni 2/3
Masa parandaluese vendoset nga gjykata në një procedim gjyqësor ndaj pasurisë së personave të dyshuar, pavarësisht faktit nëse ndaj tij:
1. Ka nisur një procedim penal që ka lidhje me pasurive ndaj të cilave vepron ky ligj
2. Ka filluar një procedim penal
3. Ka përfunduar një procedim pena;
Neni 3
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm se:
a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale
b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura
c) kryerjen e veprave të tjera me qëllime terroriste
d) kryerjen e veprimeve të parashikuara nga nenet 109, 109/b, 110/a, 110/b, 128/b, 278/a, 282/a, 283/a të Kodit Penal
e) kryerje të krimeve për fitimin e pasurive të paligjshme
f) standard të pa justifikuar jetese
2. Ky Ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave të dyshuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji pavarësisht kohës së përfshirjes së personit n veprimtari të paligjshme.