E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Reformë në gjykata

 

Armand Bajrami

Këshilli i Lartë i Drejtësisë paralajmëroi dje rritje të cilësisë dhe të shpejtësisë së gjykimit në gjykatat shqiptare. E gjithë kjo si rezultat i pritshëm i reformës në sistemin gjyqësor dhe riorganizimit pas daljes së Dekretit të Presidentit të Republikës, i cili përcaktoi numrin e ri të gjyqtarëve në çdo gjykatë të shkallës së parë dhe apelit. Fakti u bë i ditur në një takim mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë me përfaqësues dhe ekspertë të misioneve ndërkombëtare në vendin tonë. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu pohoi se riorganizimi i sistemit për shkak të numrit të gjyqtarëve në shumë Gjykata të Shkallës së Parë dhe të Apelit është një moment historik për sistemin gjyqësor. Gjithashtu, Spahiu theksoi se reforma do të sjellë përmirësim të paraqitjes së sistemit të drejtësisë. Gjendja aktuale në gjyqësor është vënë në "shënjestër" të kritikave në mbledhjet e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Si problematikat më të "nxehta" janë konsideruar zvarritjet e proceseve gjyqësore. Gjatë punimeve në takim dhanë opinionet e tyre mbi këtë çështjen e riorganizimit të gjyqësorit edhe ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit Evropian, Misionit Euralius, OSBE, USAID dhe OPDAT.
SPAHIU
"Ky riorganizim do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në dy komponentë të rëndësishëm, në rritjen e cilësisë së gjykimit dhe në rritjen e shpejtësisë së gjykimit. Të gjithë jemi koshientë për procese të tejzgjatura në gjykatat shqiptare. Arsyeja për të cilën jemi këtu është që të përmirësojmë çdo praktikë negative qe mund të ketë ndodhur, ose një praktikë jo e përshtatshme në të shkuarën në sistemin gjyqësor", u shpreh dje në takim nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Nënkryetari i Këshillit sqaroi se procesi do të jetë normal dhe se përmirësimi i paraqitjes do të arrihet me gjyqtarët më të kualifikuar që ndodhen aktualisht në gjyqësor. "Duhet të jemi të qartë që pas kësaj nuk mund të ndodhë mrekullia. Ky është një proces normal. Ne këtu jemi për të nxitur  gjyqtarët me të mirë brenda sistemit. Jemi këtu për të nxitur atë pjesë të kualifikuar të gjyqtarëve që ndodhen në gjyqësor. Ne nuk jemi këtu për të importuar gjyqtarë nga jashtë. Çdo cilësi dhe performancë e gjyqësorit do të rritet me këta gjyqtarë, të cilët sot janë në ushtrimin e funksionit të detyrës së tyre", tha Spahiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›