Miratohet ligji "Për bashkëpunimin penal me të huajt"
TIRANE - Marrëdhëniet juridike me autoritet e huaja në fushën penale tashmë ngrihen në rangun e një ligji. Qeveria e votoi dje këtë projektligj, ndërsa pritet që të votohet edhe nga Kuvendi. Në relacionin shoqërues të draftit, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani pohon se ky përbën një nismë të rëndësishme në kuadër të përmirësimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. "Nevoja e hartimit të këtij projektligji lind nga problemet e hasura në praktikë në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe nga vështirësitë në lidhje me aplikimin e konventave të ratifikuara nga Shqipëria në fushën penale, veçanërisht për sa i përket raporteve të ligjit të brendshëm me atë ndërkombëtar. Hartimi i tij i shërben përmirësimit të marrëdhënieve me autoritetet gjyqësore të huaja dhe shmang shumë probleme, si të karakterit procedural, ashtu edhe të mospërputhjes midis ligjit vendas dhe atij të huaj. Nëpërmjet këtij drafti synohet të rritet efecienca e zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale", thuhet në relacion. Deri tani shteti shqiptar, i ka rregulluar marrëdhëniet me autoritetet e huaja në fushën penale, me anë të konventave të ndryshme që ka ratifikuar si dhe marrëveshjet dy ose shumëpalëshe, ndërsa ligji do të zbatohet për aq sa nuk bie ndesh me ato. Drafti është konceptuar në 4 krerë dhe përmban 93 nene. f.m.