E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’dua pushtet në tavolinë

 

Aristir Lumezi

“Kërkesa jonë është legjitime, nuk kër-kojmë rrëzim të vendimit të kolegjit”. Kryetari i opozitës, Edi Rama, iu kundërpërgjigj menjëherë dje deklaratës së kreut të qeverisë për hapjen e kutive, duke theksuar se asgjë nuk mund ta largojë Partinë Socialiste nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke iu përgjigjur Berishës për pretendimin e ngritur se kutitë u shqyrtuan nga gjyqësori, Rama tha se kërkesa e PS-së është një e drejtë legjitime dhe nuk ka lidhje me ankimimin. “Kur Berisha thotë se kërkesa për hapjen e kutive është ogurzezë, thotë një të vërtetë të madhe, por jo për zgjedhjet dhe të vërtetën e 28 qershorit, por për pushtetin e tij të grabitur, i cili nuk qëndron dot në këmbë nëse ballafaqohet me të vërtetën. Kërkojmë transparencën e një procesi zgjedhor që duhet të jetë i fundit në zinxhirin e zgjedhjeve të kontestuara”, u shpreh Rama përpara mediave. Kreu socialist sqaroi se hetimi i kutive nuk i kundërvihet vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. 
“Ne kërkojmë hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit dhe jo ankimim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Këto janë pa asnjë lidhje. Sali Berisha këtë e di. Dhe nëse nuk e di, kjo tregon se është njeriu i gabuar në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar”, u shpreh Rama. Ndërsa nënvizoi se në kërkesën e socialistëve për transparencë të zgjedhjeve nuk ka asgjë të kundërligjshme, kryesocialisti tha se hapja e kutive të votimit shërben për të kthyer besimin te shqiptarët, të cilët, sipas Ramës e kanë humbur atë për shkak të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu socialist i kërkoi kryeministrit Berisha t’i hapë rrugë transparencës së rezultatit zgjedhor. “Sali Berisha nuk mund ta pengojë këtë transparencë as me fuqinë e pushtetit të grabitur dhe as me pafuqinë e arsyes së mos arsyeve që shton dita ditës në përpjekjen e kotë për të krijuar idenë se zotëria na qenka dashamirës ndaj kërkesave të opozitës, kur ato janë brenda ligjit. Çfarë ka të paligjshme në kërkesën për të hapur kutitë dhe për të hetuar gjithçka brenda kutive, në funksion të transparencës dhe jo të ndryshimit të pushtetit në tavolinë? Asgjë të paligjshme nuk ka. Dhe me sa duket, krahasimi me Afganistanin ka qenë shumë bujar. Në fakt sot jemi në kushtet kur krahasohemi me Iranin dhe ngjashmëria e njeriut që sot mban pushtetin në Shqipëri me vota të grabitura, nuk ka me sa duket lidhje me njeriun që drejton Afganistanin, sepse ai jo vetëm ka lejuar hapjen e kutive, por edhe përsëritjen e zgjedhjeve”, u shpreh Rama. I pyetur dhe për marrëveshjen për kufirin me Greqinë, Rama tha se, “ajo marrëveshje kërkon një gjykim suprem, të paanshëm e të bazuar në ekspertizë të mirëfilltë, gjë që mund ta bëjë krejt qetësisht dhe jashtë çdo lloj ndikimi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›