“Ngjela për pak më hodhi strategjinë në erë”
Në fund të mbledhjes së grupit të PD-së, kryeministri nuk ka kursyer batutat edhe për Spartak Ngjelën, ish-bashkëpunëtorin e tij në opozitë, aktualisht avokati i PS-së në Kushtetuese për marrëveshjen e kufijve me Greqinë. “Për ta ndihmuar zotin Rama dua t’i tregoj vetëm një moment, të mos ecë në gabimet e mia. Ia besova unë një herë këtë gjë dhe desh më ‘hodhi’ në erë të gjithë strategjinë time. E nisa avokatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces zgjedhor. Atje e priti një personalitet ndër më kryesorët i Partisë Republikane dhe mik i imi, që punonte në Shtëpinë e Bardhë. Për ta nderuar e ftuan për drekë dhe ai i pyet: zotërinj, e njihni ju Xhefersonin. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thonë po. Atëherë e dini, vazhdoi avokati, se Xhefersoni thotë se kur preket vota, rrëmbehen armët. Ata e mbyllën diskutimin dhe më thanë se ç’është ky njeri që na ke dërguar këtu. Kështu që zoti Rama, me zotin Ngjela mund të themelosh kiss-in, pra, edhe një kiss bis, por t’i besosh atij avokatinë e PS-së, është absolutisht aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie, qëkur bie në duart e Spartak Ngjelës”, tha Berisha.