Zbulohen 6 miliardë lekë dëme
• Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës shtetërore.Fabiola Çela Si pasojë e këtyre abuzimeve, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej afro 6 miliardë lekësh. Ky dëm i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare të ushtruar në periudhën 2004-2006 dhe 9-mujorit të vitit 2007. Sipas raportit të KLSH-së, 4 punonjës të KESH-it kanë shkaktuar edhe dëmin më të madh në buxhetin e shtetit. Por ekspertet e KLSH-së kanë konstatuar se dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në zyrën rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun e Fierit. Në shumë prej dosjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave janë vërejtur se ka shumë mangësi. Në shumë prej këtyre dosjeve është vërejtur se mungon relacioni dhe planvendosja në kalk, gjithashtu procesverbali i dorëzimit të pronës nuk është nënshkruar nga topografi dhe nga përfaqësuesi i subjektit të shpronësuar.Kallëzim Plot 84 punonjës të administratës shtetërore janë dërguar për kallëzim penal në organet e Prokurorisë. Pas kontrollit në këto institucione, ekspertët e KLSH-së kanë kryer 30 kallëzime penale. Vlera më e madhe e dëmit është shkaktuar nga katër punonjës të Korporatës Elektro-Energjetike shqiptare, të cilët duke abuzuar me detyrën e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 5 miliardë lekësh, shumë kjo goxha e konsiderueshme. Sipas raportit të KLSH-së punonjësit e KESH-it kanë marrë 8 milionë lekë dieta në mënyrë të padrejtë, kanë marrë 17.8 milionë lekë për sponsorizime, etj. Përveç kësaj në Zonën e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë, njësia e shitjes, dëmi arrin në 25.9 milionë lekë dhe është shkaktuar si pasojë e mospagimit të kamatëvonesave në vlerën 18.3 milionë lekë dhe tarifës së lidhjeve të reja në vlerën 7.5 milionë lekë. Por nuk kanë mbetur prapa as punonjësit e ministrive përsa i përket abuzimeve të fondeve shtetërore. Vetëm nga Enti Kombëtar i Banesave, KLSH ka dërguar 9 punonjës për ndjekje penale. Fondi shqiptar i zhvillimit ka numrin më të madh të punonjësve që janë dërguar për ndjekje penale. Sipas raportit të KLSH është bërë kallëzim penal për 19 punonjës. Raporti Për vitin 2007, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 146 kontrolle të planifikuara, në fakt ka ushtruar 198 kontrolle ku 48 prej tyre të nisur në tremujorin e IV të vitit 2006. Nga kontrollet e kryera 146 janë të përfunduar e të evaduar, 32 janë të përfunduar, por të paevaduar dhe 20 janë në proces kontrolli. “Nga kontrollet e ushtruara gjatë kësaj periudhe, janë zbuluar shkelje e parregullsi financiare, për të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 6 059 325 000 lekë”, thuhet në raport. Në degën e Tatim-Taksave është konstatuar një dëm prej 3,6 miliardë lekësh. Shumë prej subjekteve nuk kanë derdhur detyrime tatimore për tatimfitimin, TVSh, etj., por ka pasur dhe raste që inspektorët tatimorë nuk i kanë llogaritur siç duhet gjobat dhe penalitetet ndaj biznesit, dhe për rrjedhojë të gjitha këto kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në arkën e shtetit. Sipas raportit të KLSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tregjeve në Tiranë në vlerën 5.103.000 lekë për mos grumbullimin e taksave. Dëme financiare janë shkaktuar edhe në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor në Tiranë dëm i cili arrin në vlerën 284.800.000 lekë. Në administratën doganore dëmi financiar është disi më i ulët në krahasim me degët e Tatim-Taksave. Sipas raportit të KLSH-së në dogana dëmi arrin në 360.333.000 lekë. Në doganën e Durrësit dhe Elbasanit dëmi arrin në 172.580.000 lekë e 38.690.000 lekë si detyrime doganore të papaguara. Sipas raportit të KLSH-së nga shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore është shkaktuar një dëm prej 612.071.000 lekësh. Por dëmet e shkaktuara arkës së shtetit nuk përfundojnë më kaq. Në fushën e shpërblimeve, dëmi arrin vlerën e 115.688.000 lekë. Këto para i kanë marrë punonjës që nuk i kanë merituar. 3.6 miliardë lekë është dëmi i shkaktuar në degën e Tatim-Taksave. Pjesa më e madhe e këtij dëmi është shkaktuar si rrjedhojë e mospagimit të detyrimeve tatimore nga ana e biznesit. 360 milionë lekë është dëmi financiar i shkaktuar nga administrata doganore. Vlera më e madhe e dëmit është shkaktuar nga dogana e Durrësit si pasojë e detyrimeve doganore të papaguara.115 milionëlekë është dëmi i shkaktuar në fushën e shpërblimeve. Këto para i kanë marrë punonjës që nuk i kanë merituar. Kjo ka bërë që buxhetit të shtetit t’i shkaktohet një dëm i konsiderueshëm financiar.