Zyraja, peshkatarja që feston në mes të detit 8 Marsin
• Dita e festës së gruas e ka gjetur mbi varkë, duke hedhur rrjetat për të zënë peshk.DURRES/ OERD ULQININë fakt, këtë veprim e kryen prej të paktën dy muajsh, në një largësi 1.5 milje nga bregu, pavarësisht stinës së ftohtë e me det të trazuar. Në barkën e vogël turistike që çifti Ymeri e ka përshtatur për peshkim gruaja i bëhet krah pune burrit. Sigurisht ky fenomen nuk duhet parë nga këndvështrimi i emancipimit të shoqërisë shqiptare, por nga domosdoshmëria për të siguruar bukën e përditshme. Zyra Ymeri, 55-vjeçarja nga Currilat, që nga fundi i muajit janar gjuan peshk me bashkëshortin e saj. “Çfarëdo që të na ndodhë, duhet të na gjejë të bashkuar. Nuk e le më kurrë burrin vetëm në barkë, pasi ai i shpëtoi për mrekulli mbytjes një dite janari. Që nga ai moment kam zënë mend. Ai nuk ka para për të punësuar ndihmës. Në atë barkë duhen të paktën dy persona. Deti është i vështirë dhe një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dy gjëra njëkohësisht. Kështu kur unë tërheq rrjetat, burri im Ramazani mban drejtimin e duhur të barkës, duke e ruajtur atë nga dallgët e forta dhe shkëmbinjtë nënujorë. Kur lodhemi ndodh që të këmbejmë procesin e punës”, tha Zyraja për “Panorama”. Si nisi zanatinNga bordi i një barke turistike të tipit “pedalo”, e cila është edhe pasuria e vetme e çiftit sigurohet çdo ditë buka e përditshme. Deti është i vështirë për një femër, aq më tepër kur gjuetia kryhet në dimër, por Zyraja thotë se “nuk mund ta lerë të shoqin, pasi ai nuk ia del dot i vetëm të tërheqë rrjetat”. Barka e tyre nuk ka motor, por lundron me forcën e muskujve të këmbës, të cilat lëvizin sikur të ishte ndonjë biçikletë. Një lundrim i tillë është rraskapitës, pasi shpeshherë atyre u duhet të manovrojnë edhe kundër rrymave të forta detare. Zyraja thotë se “ditët e para ishin një përvojë e tmerrshme dhe se i vinte për të vjellë vazhdimisht nga lëkundjet e forta të barkës”. Por tani ajo duket e mësuar dhe kjo punë nuk i bën më përshtypje. Çifti që banon në Currila prej pesë vjetësh ka shtatë fëmijë. Të gjithë ata ndodhen jashtë shtetit, ndaj të mbetur pa pension dhe pa përkrahje sociale Zyraja dhe Ramazani detyrohen ta sigurojnë jetesën në det. “Fëmijët kanë jetën e tyre dhe ne nuk mund t’i biem në qafë për para. Dy vjet më parë me paratë që ata sollën nga Italia ne blemë barkën që kushtonte 400 euro. Ishte një barkë e përdorur, por që punonte mjaft mirë. Burri im dhe unë e mirëmbajmë me shumë kujdes. Fillimisht im shoq gjuante i vetëm, por me kalimin e kohës peshkimi bëhej gjithnjë e më i vështirë, ndaj unë mora vendimin për të mos e braktisur më për asnjë çast, madje edhe në det”, tha Zyraja.Dita e gjuetisë Pas një gjuetie të vështirë në breg nis procesi i pastrimit të rrjetave nga leshteriku. Kjo ditë ka qenë e pafat për çiftin e moshuar, pasi në rrjeta ka vetëm leshterik dhe asnjë “kokërr” peshk. Ka nisur sezoni i sepjes dhe gjuetarët e Currilave nxitojnë kush t’i hedhë rrjetat i pari. Sepja tregtohet me një çmim që varion nga 400 deri në 500 lekë për kilogram. Por gjuetia e sepjes është një proces i vështirë. Kjo specie gjuhet zakonisht në thellësitë 10 deri në 15 metra, hapësira këto ku barkat turistike “pedalo” nuk kanë asnjë garanci. Tashmë është fundi i sezonit, por gjuetia e këtij “fruti deti” vazhdon pa ndërprerje, pasi është një prodhim për të cilin kërkesa është e lartë si nga restorantet ashtu edhe nga familjarët. Ndodh shpesh që rrjetat të çahen apo të ngatërrohen nëpër shkëmbinj, ndaj peshkatarët duhet të tregohen shumë të duruar gjatë pastrimit.Dikur në gjelbërimKjo grua që tashmë gjuan peshk me “pedalo”, ka punuar më parë në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit si lulishtare, në Spitalin e Durrësit si sanitare dhe në Agro-Eksport. Shkurtimet në këto ndërmarrje e kanë lënë atë të papunë prej vitesh. Deri sa të mbërrijë momenti i saj i pensionit, Zyraja nuk ka rrugë tjetër jetese veç peshkimit. Së bashku me burrin e saj, Ramazanin, është duke rrezikuar gjithçka, vetëm për të jetuar me dinjitet këtë periudhë të vështirë. I shoqi, tashmë 58 vjeç ka punuar gjithë jetën si doker në port. Por periudha e vështirë e tranzicionit e la atë të papunë. Edhe ai e pret me padurim pensionin, por nuk mund ta marrë atë pa plotësuar më parë moshën. Çifti jeton prej pesë vjetësh në Currila, zonë në të cilin bashkia i ka dhënë një autorizim për banesë. Por në këtë plazh të gjithë i kanë sytë nga deti, sidomos tani kur është sezoni i sepjes. Ai mbaron në fund të muajit mars dhe deri atëherë buxhetet e varfra të këtyre familjeve mund të shohin ditë të mira.