E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm reklamë?

• Edmond TupjaNjë ditë, tek prisja radhën te dentisti, sytë më zunë, mbi tryezën e paradhomës ...një revistë ndër shumë të tjera; në kapakun e saj lexova një si titull që, fillimisht, më mbushi me njëfarë gëzimi patriotik: “Gjigandi shqiptar i ekspozimit të mobilierisë italiane”. Ah, mendova, ja më në fund një ndërmarrje, firmë apo strukturë ekonomike vendëse me përmasa të mëdha. Me gjithë gabimin drejtshkrimor që përmbante (shkruhet “gjigant” dhe jo “gjigand” – shih Fjalorin e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006), titulli në fjalë dëshmonte se në Shqipëri ishte krijuar më në fund një ndërmarrje, firmë apo strukturë ekonomike vigane e denjë për të konkurruar me simotrat e saj në Evropë e gjetiu. Por shumë shpejt entuziazmi më ra. Përse? Sepse bëhej fjalë vetëm për një ndërmarrje, firmë apo strukturë ekonomike thjesht ekspozimi dhe për më tepër mallrash të huaja e jo vendëse. Ekspozim, për mua, është thjesht një fjalë që ka kuptimin “reklamë”. Pra, tek ne, vazhdon t’u bëhet reklamë në stil të gjerë mallrave të huaja, madje tani nga organizma gjigantë vendës. Sidoqoftë nuk është keq, se edhe kështu hapen vende pune. Por pse ky organizëm gjigant të mos ekspozonte mallra fjala vjen të mobilierisë shqiptare? Kjo pyetje më detyroi aty për aty të shtroja një pyetje tjetër: A ka vallë mobilieri shqiptare? Sigurisht që duhet të ketë, por edhe sikur kjo të mos jetë në lartësinë e duhur e të mos prodhojë me cilësinë e mobilierisë italiane, franceze, gjermane, japoneze apo marsiane, duhet të ketë sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare që funksionojnë, që prodhojnë sado pak por me njëfarë cilësie e që kanë nevojë për ekspozim apo reklamë brenda vendit e, ndoshta, pse jo edhe jashtë tij?Për të sqaruar vetveten, mora në telefon disa miq e u bëra disa pyetje; të zënë deri diku ngushtë, ata më këshilluan të futesha në Internet. Dhe kështu bëra. Pavarësisht ngathtësisë sime për të lundruar në Internet në mënyrë mjeshtërore, zbulova se nuk ekzistonte asnjë gjigant shqiptar i ekspozimit të mallrave vendëse: Ekzistonin vetëm disa njësi modeste që merreshin me një veprimtari të tillë. Atëherë, më erdhi papritmas një ide e çuditshme: Të shihja se mos vallë në Itali kishte ndonjë “gjigant italian të ekspozimit të mobilierisë shqiptare... të bujqësisë shqiptare... të blegtorisë shqiptare... të bimëve mjekësore shqiptare... të verërave shqiptare... të artizanatit shqiptar...”. Më kot, vërtet më kot. Pa i humbur gjithsesi shpresat e vakëta, ndoqa të njëjtin itinerar interneti në drejtim të Francës, Gjermanisë, Japonisë dhe Marsit. Më kot gjithashtu, vërtet më kot.Më në fund, i zhgënjyer deri në palcë, arrita në përfundimin se asgjë e denjë për t’u ekspozuar brenda apo jashtë vendit nuk u prodhoka në Shqipëri. Prandaj, me të drejtë, le të vazhdojë gjiganti shqiptar të ekspozojë mobilierinë italiane, industrinë italiane, bujqësinë italiane, blegtorinë italiane, bimët mjekësore italiane, verërat italiane, artizanatin italian e të tjera prodhime italiane. Le të krijohet edhe një gjigant tjetër shqiptar për prodhimet e ndryshme franceze, një tjetër për ato gjermane, një tjetër për ato japoneze, një tjetër për ato marsiane, një tjetër për ato...Megjithatë, kolegu dhe miku im i ri Françesk Armadhi më dha njëfarë shprese kur më tha se ndoshta, në epokën tonë, tani që sida po bën kërdinë e kur i vetmi mjet mbrojtës i efektshëm kundër saj është prezervativi, një ditë do të vijë që në Shqipëri të lindë detyrimisht e të zhvillohet fuqimisht industria e prezervativëve. Kështu do të hapen vende pune për shumë shqiptarë, të cilët nuk do të shtrëngohen më të emigrojnë; nga gëzimi, autoritetet shtetërore do të financojnë ndërtimin, në zemër të Tiranës, e një katedraleje, asaj të Shën Prezervativit, çka do t’i paraprijë më në fund, oh ç’lumturi! Krijimit të një ndërmarrjeje, firme apo strukture ekonomike të quajtur “gjiganti shqiptar i ekspozimit të prezervativërisë shqiptare brenda e jashtë vendit”. Dhe që nga ajo ditë e bekuar fjala “këllëf”, sinonim i fjalës “prezervativ”, nuk do të përdoret më si sharje qoftë edhe në variantin popullor “klluf” që haset gjerësisht në Shqipërinë e Mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›