E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: LSI, gjysmën tjetër të mollës së kalbur

16/12/2004  Partia Demokratike i konsideron njësoj kundërshtare LSI-në ashtu dhe PS-në në zgjedhjet e përgjithshme. Lideri i demokratëve, Berisha, ka hedhur dje poshtë aludimet për bashkëpunim mes PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet e Dushkut. Madje, Berisha është shprehur se dhe deputetët e LSI-së nuk janë më ndryshe nga socialistët. Ai i ka quajtur këta të fundit si "gjysmën tjetër të mollës së kalbur socialiste". Sipas Berishës, akuzat e PS-së nuk janë gjë tjetër veçse sajime fantazmash të mbetura që prej një kohe të shkuar, duke rikthyer në këtë mënyrë faktin se PS është pasardhëse e Partisë së Punës. "Nuk është çliruar asnjëherë nga fantazmat ajo parti dhe do të vazhdojë edhe për një shekull. Ajo është parti me fantazma dhe ato e ndjekin kudo", tha Berisha. Gjithsesi, lidhur me fitoren e PS-së në Dushk, demokratët nuk kanë ndryshuar shumë nga akuzat që LSI-ja hodhi për të njëjtën çështje. Për Partinë Demokratike, rezultati i dalë nga këto zgjedhje dhe rënia e përqindjes elektorale në këtë zonë janë rezultat i tollonave të naftës, dhe manipulimeve të PS-së. "Nga ana tjetër, natyrisht që ne po bëjmë analizën tonë për këtë çështje", tha Berisha.

Buxheti

Duket se rrugët për të bashkëpunuar me parti të spektrit të majtë nuk janë mbyllur krejtësisht nga Partia Demokratike. Këtë la të kuptohet lideri demokrat, kur foli për bashkëpunimin që do të ketë kjo forcë politike në rrëzimin ose ndryshimin e buxhetit, i cili, sipas tij, është një buxhet cinik dhe rrënues për shqiptarët. "Beteja jonë do të jetë e fortë. Ne do të përpiqemi të vendosim bashkëpunim me të gjithë deputetët që e duan arsimin, me të gjithë deputetët që kanë ndjeshmëri ndaj të sëmurëve dhe sëmundjes dhe që nuk i çojnë familjarët e tyre apo fëmijët e tyre për të studiuar jashtë shteti, por i lënë në shkollat e Shqipërisë dhe mjekohen në spitalet e Shqipërisë", tha Berisha. Sipas tij, grupi parlamentar i PD-së do të përdorë të gjitha rrugët për të mos lënë të kalojë një buxhet, i cili do ishte ndëshkues për të gjithë shqiptarët. Opozita do të kërkojë në seancën që do të zhvillohet për këtë çështje, një rritje prej 40 për qind të GDP-së, për sektorë të tillë si arsimi dhe shëndetësia. Nismë të cilën demokratët do të ndërmarrin edhe për rritjen e pensioneve, të cilat, sipas Berishës, në shifrat aktuale nuk janë as sa një e dyzeta e rrogës së një ministri.

Pedagogët

Greva e pedagogëve dhe plotësimi i kushteve nga Qeveria janë krahasuar nga Berisha me grevat e vitit 1990, kur pedagogët, së bashku me studentët, bojkotuan mësimin, për të kërkuar ndryshimin e sistemit. Për PD-në, greva e tyre është në funksion të mbrojtjes së vlerave të shkollës dhe arsimit shqiptar. Berisha, duke u shprehur dhe një herë i sigurt në fitoren e PD-së në zgjedhjet e vitit 2005-ës, garantoi pedagogët se ajo çka u arrit me grevën e tyre do të mbrohet me ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›