E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bipartizani sot përfundon financimin e partive

16/12/2004  Komisioni Bipartizan do të diskutojë sot mbi procedurat e financimit të partive politike gjatë fushatave elektorale. Sipas propozimit të ekspertëve, që kanë punuar pranë OSBE-së, fondet e dhëna nga shteti nuk do të jepen të gjitha njëherësh, por 50 për qind do të akordohen para zgjedhjeve dhe 50 për qind pas. Ndryshe nga një vit më parë, këtë radhë ekspertët kanë kërkuar që të jetë Ministria e Financave përgjegjëse për mbledhjen e fondeve që iu janë dhënë partive që nuk kanë marrë përqindjen e duhur për të hyrë në Kuvend. Në rast se partitë do të refuzojnë rikthimin e parave, atëherë në zgjedhjet e ardhshme këtyre forcave politike nuk do t'u jepen fondet. Në lidhje me financimin e partive politike gjatë fushatave, një rëndësi e veçantë i është dhënë transparencës së shpenzimeve. Komisioni Bipartizan me këtë diskutim i jep fund reformës mbi kodin zgjedhor, duke i hapur rrugën administrimit të zgjedhjeve. Gjatë pesë muajve, Bipartizani ka ndryshuar formulën e numërimit të votave në Komisionet Zgjedhore Zonale, ka arritur në ndryshimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe janë miratuar një sërë procedurash teknike. Kështu, regjistrimi i popullsisë dhe sistemi i adresave janë cilësuar dy pikat kyçe, që do të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Sipas vendimit të Kuvendit, drafti përfundimtar duhet të miratohet në seancën e fundit. Në këtë mënyrë pritet që në datën 23 të përfundojë votimi mbi ndryshimet përkatëse në Kodin Elektoral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›