E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulqini: Kongresi do të vendosë për emrat e veçantë në fushatën elektorale

16/12/2004  Kryetari i degës së Partisë Socialiste Tiranë, Musa Ulqini, në një intervistë për

"Metropol", u shpreh se do të jetë Kongresi i socialistëve të janarit që do të vendosë se si do të veprohet me emrat e veçantë në drejtimin e PS-së. Madje dhe për përfshirjen e Edi Ramës në qeveri ose jo, Ulqini thekson se do të jetë pikërisht kongresi, që do të japë fjalën e fundit. Kreu i PS-së për Tiranën thekson se deri më tani është synuar në eliminimin e rrjedhjeve të socialistëve drejt LSI-së, si dhe me afrimin e atyre që nuk kanë votuar më parë.

Zoti Ulqini tashmë është ndezur situata politike. Çfarë ka bërë PS e Tiranës në këtë situatë?

Kuvendimi i Madh, i zhvilluar në degën e Tiranës, gjatë këtyre dy muajve, tashmë është në përfundim. Janë bërë konkluzionet e këtij bashkëbisedimi me elektoratin socialist të Tiranës, të cilat do të shqyrtohen nga këshillat zonalë, për të bërë më vonë mbledhjen e përgjithshme të degës Tiranë. Gjatë këtyre dy muajve janë zhvilluar 350 takime të vogla në të gjithë njësitë e kryeqytetit. Sipas një kalendari të përcaktuar, deputetët dhe ministrat kanë zhvilluar takime në njësitë bashkike me këshilltarët e këtyre bashkive. Në takime është biseduar me atë se çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet, ku natyrisht janë mbajtur shënim të gjitha problemet, që janë ngritur nga qytetarët dhe janë bërë dhe po bëhen përpjekje për ato gjëra që ne do të zgjidhim. Në zonën 41, të kryeqytetit, po bëhen ndryshime të shumta, punime po zhvillohen dhe te njësia numër 5 etj. Ndërkohë që kemi mbajtur shënim të gjithë problemet si furinzimin me energji elektrike, të një pjesë të banorëve të rrugës së Durrësit, probleme që shqetësojnë qytetarët në zonën e ish-bllokut si zhurma për shkak të përqëndrimit të madh të aktivitetit tregtar dhe argëtues, ndërkohë që katet e parë të ndërtesave nuk janë bërë sipas standardeve. Gjithashtu, problemi i furnizimit me ujin e pijshëm të një pjesë të qytetarëve, si dhe te zona ime elektorale "te Shallvaret", është shqetësues problemi i ndërtesave, ku katet e para dhe bodrumet janë keqpërdorur, duke shtuar hapësira për biznese të ndryshme. Për të gjitha këto shqetësime, kam vënë në lëvizje institucionet që janë përgjegjës për zgjidhjen e këtyre problemeve. Në njësitë ku nuk kemi përfaqësuesin tonë si kryetar të njësisë bashkiake dhe deputetë tanë kanë qenë të pranishëm ministra të kabinetit Viktor Doda, Spartak Poçi, Anastas Angjeli dhe Arben Malaj, kështu kemi shpërndarë të gjithë ekipin për të dëgjuar të gjitha shqetësimet e banorëve të këtyre njësive. Një punë të mirë kanë bërë deputetët socilalistë, të cilët po zhvillojnë komunikim intensiv me qytetarët. Çdo deputet në botën demokratike këtë bashkëpunim me qytetarët e ka pjesë të programti. Nuk besoj se duhen bërë fushata, por duhet të ketë marrëdhënie korrekte me zgjedhësit.

Cili do të jetë programi socialist për përballimin e fushatës elektorale të vitit 2005?

Është shpejt për të folur për fushatën elektorale, për faktin se ne po punojmë për atë që quhet parafushatë. Një fushatë parapërgatitore, ku gjatë kësaj kohe ne kemi synuar në punën tonë ta drejtojmë në katër drejtime.

Së pari, kemi konsoliduar formulën: një organizatë socialiste për çdo qendër votimi. Tashmë kemi 350 organizata të tilla vetëm në Tiranë, që funksionojnë në të gjithë territorin që përfshijnë këto qendra votimi. Kryetarët e këtyre organizatave kanë në dorë dokumentet bazë si listat e zgjedhësve, listën e anëtarësisë dhe hartën zgjedhore. Së dyti, jemi përpjekur që të bëjmë zëvendësimet përkatëse në rastet kur kemi pasur rrjedhje drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Së treti, jemi përpjekur për të rinovuar strukturat tona në ato raste ku kanë qenë të vjetëruara. Ndërkohë që anëtarësimi këtë vit ka qenë në mënyra masive, ku vetëm në Tiranë janë shtuar 1200 anëtarë të rinj, që është prurja më e madhe në PS, për këtë rreth. Të gjitha organizatat po vënë në krye njerëz aktivë që në zgjedhjet e ardhshme këto struktura të mos jenë inaktive. Jemi përpjekur të bëjmë një analizë të asaj se çfarë kemi bërë dhe të mbajmë shënim të gjitha gjërat që duhet të kishim bërë dhe ato gjëra që nuk janë zgjidhur t´i zgjidhim tani në mënyrë që ne të kemi kemi sa më shumë zgjedhës dhe sa më pak abstenime, ose më keq ndryshim vote. Me këto çështje jemi marrë deri tani.

Ndërsa në një fushatë elektorale, tri janë elementët themelorë për të pasur sukses apo mossukses. E para, është ajo se çfarë kemi bërë, duke pasur parasysh se jemi një parti në pushtet. E dyta, është cilësia e kandidatit dhe e programit. Dhe e treta, është organizimi i elektoratit, që do të thotë, kush janë dhe si do ta bëjnë punën ata që caktohen për të menaxhuar zgjedhjet. Kjo është arsyeja që ne jemi marrë me këto tri elementë. Natyrisht, pjesë e rëndësishme e angazhimit tonë është regjistrimi i gjithë votuesve, i cili bëhet në njësitë bashkiake dhe ne kemi përfaqësuesit tanë, të cilëve u kemi kërkuar të jenë korrekt me ligjin. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe e njësive bashkiake, pasi ky proces në fund të muajit shkurt duhet të mbarojë. Duhet të punohet që të hartohen lista të pakontestuara nga askush dhe të jenë të sakta. Ndëkohë, po punohet që çdo ndërtesë të përfshihet në një sistem adresash, sipas një projekti të Bashkisë Tiranë, duke emërtuar sistemin e rrugëve etj. Kjo punë po bëhet që të mos i lihet shkak forcave të ndryshme politike që humbjen ta justifikojnë me mangësitë në listat zgjedhore. Ne nuk do të bëjmë festa siç ka inicuar Partia Demokratike, por do të bëjmë punë.

Do të jetë Edi Rama një përfaqësues i ardhshëm i qeverisë, duke pasur parasysh që ai është pjesë e një grupi pune që merren më fushatën elektorale?

Është herët për të komentuar gjëra të tilla, sepse këtë gjë e vendosin forumet në diskutimet që do të bëjnë. Është Kongresi, është Kryesia e PS-së, të cilat do të diskutojnë dhe do të miratojnë në fillim të vitit që vjen. E rëndësishmë është të theksoj se, socialistët vazhdojnë të jenë të bindur që mbëshetja e fuqishme, që i ka dhënë mazhoranca dhe anëtarësia e PS të qytetit të Tiranës në mandatet e tij Edi Ramës, kanë bërë atë që duhet të bënin.

Ndërkohë që Rama nuk është anëtar i Kryesisë të PS, mendoni se kjo është një përfitim nga "emri" i tij?

Unë nuk mendoj se emri i tij për këtë fushatë nuk ka filluar, janë mediat, të cilat përpiqen ta sjellin zotin Rama në qendër të gjithfarë diskutimesh. Mediat në Shqipëri janë të lira dhe kjo është një tregues i kësaj lirie. Por, ndërkohë, fakti që Rama është në qendër të shumë diskutimeve brenda dhe jashtë vendit, kjo lidhet dhe me atë se çfarë zoti Rama përfaqëson dhe në atë se çfarë ai realizon në kryeqytet.

Mendoni se LSI do të jetë një rivale në zgjedhjet e ardhshme?

Nuk e di se çfarë do të ndodhë me LSI-në në qytetin e Tiranës, unë di shumë mirë një gjë që kryeqyteti është absolutisht niveli më i mirë i qeverisjes socialiste. Është një nivel që ka ndryshuar shumë gjëra dhe kjo është kontribut i mazhorancës në të gjithë strukturat e saj. Tashmë është një aftësi e qytetarëve që të shohin dhe prekin këto ndryshime, të cilat do të shtohen në të ardhmen që ata të japin votën e tyre, siç kanë bërë gjatë këtyre 5 lloje votimesh që nga '97 e deri tani, kandidatëve të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›