Ndarja elektorale mbërrin në Kuvend
16/12/2004 Ditën e hënë, Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të nisë diskutimin mbi ndarjen e re elektorale. Zyrtarisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka paraqitur draftin rreth tri ditë më parë, ndërsa pritet që komisionet të nisin diskutimet me procedurë të përshpejtuar. Përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se ky projektligj duhet të miratohet deri në mesin e muajit janar, pasi, sipas Kushtetutës, zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen në fund të qershorit ose në fillim të muajit korrik. Sipas ligjit zgjedhor, ndarja elektorale nuk mund të zhvillohet brenda gjashtëmujorit të fundit të mandatit parlamentar. Në këtë rast lejohet që ndryshimet elektorale të miratohen deri në mesin e muajit janar. Gjithsesi, socialistët kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër ndarjes së re elektorale, duke e cilësuar antikushtetuese. Në të njëjtën kohë me këto debate, Gjykata Kushtetuese ka nisur diskutimin mbi një ankesë të PSD-së, e cila kërkon rrëzimin e këtij drafti. Komisioni i Posaçëm, që punoi pranë KQZ-së, vendosi që në ndryshimet e ndarjes elektorale Vlorës t'i hiqen dy deputetë, ndërsa Beratit një. Deputetët që i janë hequr këtyre dy qyteteve do t'i shtohen Kukësit, Korçës dhe Dibrës. Kjo ndarje bie në kundërshtim me interesat e partive të majta, të cilave u hiqen automatikisht mbi 5 deputetë.