Meta merr serum, Ymer Tola dy herë në spital
Në fund të ditës së tetë të grevës së urisë, deputetët e ngujuar janë të gjithë nën trajtimin me serum për shkak të mungesave të theksuara në kripëra dhe lëngje. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, është vënë nën kërkesat e mjekëve, të cilët i kanë bërë analizat dhe e kanë vënë atë nën trajtimin e serumit. Meta ka shfaqur luhatje të tensionit dhe ulje të gliceminës në gjak. Ndërsa deputeti demokristian Ymer Tola është dërguar dy herë në spital gjatë ditës së djeshme. Sipas mjekëve, atij i është dashur të kryejë disa analiza të tjera për shkak të shqetësimeve që ka pasur gjatë një dite më parë. Edhe pse mjekët i kanë kërkuar atij të qëndrojë në spital, Tola ka këmbëngulur të kthehet në grevë bashkë me kolegët e tjerë. Deputeti tjetër Frrok Gjini me insistimin e kolegëve ka nisur dje të pijë ujë, ndërsa ka marrë dhe serum. Ndërsa gjendja e deputetëve të tjerë Braho, Koçi dhe Xhufi ka qenë më e stabilizuar gjatë ditës së djeshme. Deputetët shprehen se tashmë u mësuan edhe pa ushqim, dhe nuk i bën më përshtypje, pasi qëllimi i saj është shumë më i madh, por shpreh gjithashtu me këmbëngulje se nuk do të mësohen dhe nuk do të pranojnë asnjëherë kodin e ri elektoral, nëse ai nuk u njeh të drejtën për të numëruar vetë votat e tyre. Gjatë një prononcimi televiziv në "Top Channel", kreu i LSI-së tha se, "pa dyshim që do të vazhdojmë grevën dhe sa të kemi fuqi do të rrimë këtu. Ata mund të vijnë dhe të ngrenë kartonët dhe Kodin mund ta miratojnë edhe sot. Ne do të vazhdojmë me vendosmëri edhe betejën tonë", u shpreh Meta. Për Ilir Metën, ata që duhet të reflektojnë janë demokratët e socialistët dhe nuk ka asnjë gjasë që greva të ndërpritet për të bërë bisedime. "Greva e urisë është një mjet civil e demokratik dhe ne i kemi konsumuar të gjitha përpjekjet tona për të dialoguar", tha Meta.