E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëse ky Kod miratohet, nuk do e njohim dhe do vazhdojmë grevën”

 

Një ditë para se në Kuvend të miratohet Kodi i ri Zgjedhor, dhjetë deputetët e futur në grevë urie akuzojnë Partinë Socialiste, se ndryshoi qëndrim për sa i përket përbërjes së komisioneve. Në një deklaratë të firmosur nga deputetët e ngujuar prej tetë ditësh në parlament thuhet se PS-ja fillimisht kërkoi komisione të depolitizuara në komisione dhe më pas ndryshoi qëndrim. "Fillimisht Partia Socialiste ka kërkuar komisione te depolitizuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pavarësisht se më vonë ndryshoi qëndrim. Ne kemi propozuar dhe deklaruar publikisht vullnetin tonë për këtë depolitizim të administrimit të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë realizohet konsensusi opozitar dhe zgjidhet kriza parlamentare. Nëse PS-PD reflektojnë dhe gjejnë konsensus për këtë variant, ne mirëpresim zgjidhjen, e cila është standard në gjithë Evropën dhe botën moderne", thuhet në letër. Dhjetë deputetët grevistë kërcënojnë me mosnjohje të Kodit të ri Zgjedhor nëse ai kalon në këtë variant gjatë seancës së sotme parlamentare. "Nëse Kuvendi i Shqipërisë kalon këtë projektligj me nxitim, me shkelje të procedurave parlamentare, pa kontributin dhe konsensusin tonë, atëherë ne nuk do të njohim asnjëherë këtë Kod Zgjedhor dhe pasojat që vijnë prej tij. Do të vazhdojmë grevën e urisë të nisur deri në garantimin e një Kodi Zgjedhor, që garanton besueshmëri tek votuesit, barazi tek konkurrentët politikë dhe transparencë maksimale për administrimin e votave", thuhet më tej në deklaratë. Në të njëjtën kohë deputetët e LSI-së, PDK-së dhe PS '91 i kanë kërkuar faktorit ndërkombëtar që të reagojë për të mbrojtur rekomandimet, që ka bërë për zgjedhjet në Shqipëri. "Në kushtet e mungesës së vullnetit të PS-PD për të përfshirë më shumë parti politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve, në kushtet e injorimit flagrant të rekomandimeve të OSBE, ne mendojmë se faktori ndërkombëtar, përfaqësues të shteteve të veçanta perëndimore duhet të flasin hapur në mbrojtje të rekomandimeve të veta dhe parimeve të shenjta të barazisë përpara ligjit, mosdiskriminimit me ligj të konkurrentëve politikë në një proces zgjedhor", vijon deklarata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›