E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit: Duam drejtimin e Gjykatës së Lartë

Shoqata Mbarëkombëtare Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë kërkon mbështetjen e Presidentit Bamir Topi për kryesimin e Gjykatës së Lartë nga një përfaqësues i tyre. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Besim Ndreqoni, bëri dje të ditur se një praktikë e tillë është ndjekur nga Çekia, ish-vend komunist, së cilës, sipas tij, duhet t’i referohet edhe Shqipëria. “Ne ftojmë Presidentin Topi që të dekretojë për kryetar të Gjykatës së Lartë një përfaqësues nga shtresa jonë, siç ka vepruar Çekia, e cila vendosi në krye të Gjykatës së Lartë juristë nga shtresa disidente antikomuniste”, - tha z. Ndregjoni. Duket se Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë kërkon këtë post për gjyqtarin Mehdi Beci, njëri nga 5 të dekretuarit e Presidentit Topi për anëtarë të rinj të Gjykatës së lartë. Për këtë, ish-të përndjekurit shprehin vlerësim për kreun e shtetit për dekretimin për anëtar të Gjykatës së Lartë të një kandidature të propozuar nga kryesia e kësaj shoqate. Ne, - thuhet në deklaratë, - shprehim edhe njëherë vlerësimin tonë që Presidenti bashkëpunon me të përndjekurit politikë dhe vlerëson kapacitetet tona për të pasur në drejtësinë shqiptare juristë me një integritet moral dhe profesional, që t’i shërbejnë drejtësisë dhe zhvillimeve të demokracisë në vendin tonë. Ndregjoni pohoi se kandidatura jonë vjen prej një persekutimi 45-vjeçar, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme shkëlqyeshëm, duke jetuar tek halla e tij, se nuk i jepnin të drejtë studimi si biri i një kulaku; me gjysh të vdekur në hetuesi, në vitet ‘90, mbaron shkëlqyeshëm Fakultetin e Juridikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›