Berisha, Lange: Zgjedhje me standarde ndërkombëtare
Në këtë vit elektoral, objektivi kryesor i qeverisë është realizimi i zgjedhjeve konform standardeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim, po përfundon ndërtimi i infrastrukturës më të mirë zgjedhore për sa i përket realizimit të kartave të identitetit dhe Kodit Zgjedhor. Këtë siguri i dha dje Kryeministri Sali Berisha, shefit të Departamentit për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Dirk Lange. Z. Lange e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre viteve dhe shprehu vlerësimet e tij të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe ndryshimet impresionuese të Shqipërisë. “Shqipëria, - tha z. Lange, - po ecën çdo ditë me hapat e duhur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit evropian”. Gjithashtu, zoti Lange theksoi se arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat u vlerësuan edhe nga raporti “Të bësh biznes”, raporti i Transparency International, si dhe arritja e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, u evidentuan edhe nga raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin në hartimin e këtij raporti, si dhe shprehu vendosmërinë e KE-së për të vazhduar këtë bashkëpunim dhe për të dhënë mbështetjen e përkrahjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri Berisha theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit evropian të vendit. Kryeministri vuri në dukje edhe progresin e bërë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u ndalur në luftën e suksesshme kundër korrupsionit, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin, lehtësimin e të gjitha procedurave për biznesin, vendosjen e taksës elektronike, prokurimet elektronike, regjistrimin on-line të bizneseve përmes “one stop shop” etj. Konsolidimi i këtyre procedurave dhe lufta kundër korrupsionit do të jetë përparësi e qeverisë edhe në vitin e ardhshëm. Kryeministri u shpreh se zhvillimi ekonomik i vendit është në rrugën e duhur, duke theksuar se falë reformave të ndërmarra nga qeveria, ekonomia e vendit po ecën mbi baza të shëndosha. Kryeministri Berisha i uroi suksese z. Lange në detyrën e tij të re që ai merr në drejtorinë e ngritur për negociatat për procesin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian.