E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijimi i PD-së, ftesa për Nanon, Ramën dhe Metën

Demokratët sot do të festojnë ditëlindjen, bashkë me të majtët në Pallatin e Kongreseve. Në festën e PD-së, 18-vjetorin e krijimit, pasditen e sotme pritet të jenë të pranishëm edhe krerët e së majtës, kryetari i PS-së, Edi Rama, ish-kryetari Fatos Nano, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe drejtuesit e partive të tjera opozitare. Ftesat në adresë të tyre i konfirmoi për “standard” sekretari organizativ i PD-së, z. Flamur Noka. Por në koktejin e organizuar me rastin e themelimit të PD-së është i ftuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deri para një viti, ish-pjesë e rëndësishme e kësaj partie. Po ashtu, ftesat janë shpërndarë edhe për ish-themeluesit e PD-së, si Aleksandër Meksi apo figura të tjera të njohura për PD-në në vitet e kaluara, si Ylli Vejsiu apo Albert Brojka. Në këtë mënyrë demokratët kanë vendosur që festën e tyre ta zgjerojnë edhe me partitë opozitare dhe ish-themeluesit e PD-së, pjesa me e madhe të cilëve janë rikthyer në këtë parti. Në mjediset e Pallatit të Kongreseve, sonte ata do të jenë të gjithë bashkë për të uruar ditën e madhe të krijimit të partisë së parë pluraliste në vend. Surpriza më e madhe për vetë demokratët ishte ai i para 5 viteve kur në mbrëmjen e tyre festive mbërriti dhe ish-kryeministri Fatos Nano bashkë me zonjën e tij, Xhoana. Ndryshe nga çifti Nano, pasardhësi i tij në PS, Edi Rama, nuk ka qenë asnjëherë në përvjetorët e PD-së. Në festën e një viti më parë, PS-në e përfaqësonte Arta Dade. Por këtë herë, ftesa është në adresë të Edi Ramës. As kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka marrë pjesë në festat e demokratëve, edhe pse vjet ai ishte i ftuar, por si përfaqësuese e tij mes të djathtëve ishte bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe disa deputetë të LSI-së. Ftesat, si çdo përvjetor tjetër, nuk do të mungojnë as për aleatët e PD-së. Të gjithë bashkë do të trokasin gotat për ditëlindjen e 18-të PD-ë, ndërkohë që të ftuarit e shumtë do t’i përshëndesë me një fjalim lideri Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, z. Berisha do të përmendë etapat në të cilat ka kaluar Partia Demokratike që nga themelimi i saj, natën e 11 dhjetorit të 1990, dhe deri sot, që po konkretizon reformat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›