Qeveria rrëzon akuzat: Basha ka vepruar sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave
Qeveria akuzoi dje Prokurorinë e Përgjithshme për publikimin e disa materialeve në media, duke i quajtur ato spekulime në lidhje me rrugën Durrës-Kukës. Sipas qeverisë, ministri Lulzim Basha ka zbatuar me përpikëri, transparencë dhe përgjegjshmëri të plotë të gjitha detyrimet e tij që rrjedhin nga vendimet e Këshillit të Ministrave për ndërtimin e rrugës. Akuzat e formuluara ndaj ministrit Basha janë thjesht përpjekje primitive dhe të dështuara për të shndërruar prokurorinë në një parti politike nga armiq dhe kundërshtarët e korridorit shqiptar. Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, znj. Majlinda Bregu, bëri të ditur se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, veprës më madhore të shqiptarëve, është realizuar dhe mbështetet tërësisht dhe ekskluzivisht në vendimet e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Sipas saj, secili prej këtyre vendimeve është marrë në kushtet e transparencës, mirinformimit dhe përgjegjshmërisë së plotë ligjore të Këshillit të Ministrave. Ndaj, znj. Bregu në emër të qeverisë, hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë se i ka marrë këto vendime në kushte të mosinformimit të plotë apo të keqinformimit nga ministri Basha. Ajo i cilësoi si trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohërat e dënimeve kolektive. “Akuza se ministri Basha ka shkelur barazinë në tendera në rastin e përzgjedhjes së konsulentit ndërkombëtar, është një manipulim i pastër me faktet dhe ligjin, pasi përzgjedhja e këtij konsulenti nuk është bërë me tender, por në përputhje me ligjin, me prokurim të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave, i cili ka marrë të gjitha përgjegjësitë ligjore me VKM nr. 460, datë 10 korrik 2006”, - theksoi ajo. Bregu iu referua Këshillit të Ministrave që deklaron se VKM nr. 460, datë 10 korrik 2006 për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar është marrë në kushtet e disponimit të të gjithë informacionit dhe rrethanave të nevojshme. Ky vendim shpreh vullnetin politik për të proceduar me ndërtimin e përshpejtuar të segmentit Rrëshen-Kalimash, në kushtet e mungesës së projektit. Sipas saj, hartimi i këtij projekti teknik u autorizua po nga Këshilli i Ministrave me VKM nr. 158, datë 15.03.2006. Ndaj dhe pretendimi se këto vendime bien ndesh me njëri-tjetrin është po kështu një abuzim i pastër. Bregu bëri të qartë se këto dy vendime janë pjesë e pandarë e të njëjtit vullnet të Këshillit të Ministrave për ndërtimin e të njëjtës vepër. Me VKM nr. 158, datë 15.03.2006 u autorizua hartimi i projektit teknik për segmentin Rrëshen-Kalimash, ndërsa me VKM nr. 460, datë 10 .07.2006 u autorizua marrja e konsulencës së veçantë për kontraktimin e ndërtuesit të segmentit Rrëshen-Kalimash me metodën projektim-ndërtim. Në këtë pikë, qeveria e quan trill të qartë, absurd, qesharak dhe të pabazë pretendimin e prokurorisë se ministri Basha i ka fshehur Këshillit të Ministrave një vendim të marrë po nga Këshilli i Ministrave. “Këshilli i Ministrave, me vendimin për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar, mundësoi fillimin e bërjes realitet të projektit Rrëshen-Kalimash brenda një kohe shumë të shkurtër. Më 4 shkurt të vitit 2007, pas një pune paraprake disamujore, ky projekt u inaugurua zyrtarisht me fillimin e punimeve në tunel. Pra, si rezultat i vendimeve të Këshillit të Ministrave, u arrit që puna për segmentin Rrëshen-Kalimash të nisë brenda një kohe fare të shkurtër”, - tha znj. Bregu. “Këto fakte, - shtoi ajo, - hedhin poshtë si të pavërtetë dhe jologjik pretendimin e prokurorisë se Këshillit të Ministrave iu paraqit një situatë jo e vërtetë për të justifikuar lidhjen e kontratës me konsulentin ndërkombëtar. Këshilli i Ministrave deklaron se vendimi i tij nr. 651, datë 27.09.2006 për miratimin e kontratës ndërmjet qeverisë se Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë së përbashkët Bechtel-Enka për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit Rrëshen-Kalimash, shënon momentin kulmor të mishërimit të vullnetit të qeverisë shqiptare. Ky vendim, përkundër pretendimeve absurde të prokurorisë, është marrë në kushtet e informimit të plotë dhe të përgjegjshëm të Këshillit të Ministrave mbi procesin e negocimit të kontratës si dhe të konstatimit nga Këshilli i Ministrave të zbatimit rigoroz, të plotë dhe të përpiktë të vendimeve të tij nr. 481, datë 14.07.2006 dhe nr. 526, datë 02.08.2006, nga MPPTT-ja dhe DPRR-ja.