Berisha: Lejet e ndërtimit, jo nga falangat e korrupsionit
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i kërkoi mbrëmë kryebashkiakut Edi Rama që të marrë masa urgjente për të zhbllokuar situatën kaotike që ka krijuar ndaj biznesit për shkak të klientelizmave. Berisha akuzoi Ramën për afera korruptive me lejet e ndërtimit, teksa lajmëroi se brenda një jave do të miratohet dhe ligji i ri për urbanistikën. Kreu i qeverisë u përqendrua tek rezervat që Banka Botërore ka shprehur në raportin e saj të fundit për çështjen e dhënies së lejeve të ndërtimit. Kryeministri analizoi në prani të stafit qeveritar dhe medias në orët e mbrëmshme, raportin e fundit të Bankës Botërore, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në botë për nga reforma fiskale. Duke u ndalur në hapat konkretë të reformës ekonomike në vend, e cila sipas tij u bllokua vetëm në vitin ‘97, Berisha pranoi se ende ka probleme me pronësinë. Teksa theksoi se procesi do të hyjë në rrugën e zgjidhjes, Berisha hodhi akuza të forta ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës për klientelizëm dhe afera korruptive në mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit. “Tirana me vështirësitë dhe korrupsionin e bashksië renditet 12 herë më poshtë se Shkodra dhe Vlora dhe shtyn mbrapa vendin në renditjen e lehtësive për biznesin. Po në këtë studim, rezulton se Shkodra renditet për dhënien e lejeve të ndërtimit e 7-të në rajon, kurse Tirana është në këtë aspekt ku është dhe tava e 10-përqindëshit e 18 në rajon, për sa u përket dokumenteve të pafundme që duhen të plotësohen për nxjerrjen e një leje ndërtimi”, - tha z. Berisha. “Ndaj, - shtoi Berisha, - dua t’i them kryetarit me korrespodencë të Bashkisë së Tiranës që të marrë masa urgjente për të larguar të gjitha praktikat ultrakorruptive ndaj biznesit dhe të ndryshojë rrënjësisht situatën”. Berisha i kërkoi kryebashkiakut Rama që të marrë shembullin e Shkodrës dhe t’i japë fund aferave korruptive. Më tej, kreu i qeverisë foli për reformën e pronësisë, teksa tha se “ekzistojnë probleme me pronësisë, por nuk mbaj mend të kem pasur ankesa nga investitorë për çështje pronësie”. “Dhe raporti kur flet për regjistrimin e pronës, u referohet në radhë të parë biznesmenëve. Raporti këtë studion. Sidoqoftë, ne do ta bëjmë këtë reformë dhe jam shumë optimist se do t’i japim përgjigjen më të mirë problemit. Do të avancojmë nga viti në vit me qëllim që ta përmirësojmë atë”, - tha z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha i cilësoi tre vitet e qeverisë që ai drejton si tre vitet e revolucionit fiskal në vend. Duke raportuar për reformat ekonomike në vend, z. Berisha vuri në dukje se të ardhurat nga taksat dhe tatimet në këto tre vite janë rritur me 70 për qind, krahasuar me qeverisjen e mëparshme. “Ekonomia e vendit tonë sot është më e zhvilluar, më entuziaste, më dinamike”, - tha z. Berisha, duke nënvizuar se në 6-mujorin e parë të këtij viti Shqipëria është vendi me rritje dyshifrore, ndër më të lartat në Evropë. Referuar raportit të Bankës Botërore, Berisha vuri në dukje se Shqipëria renditet e dyta në krahasim me të gjitha vendet e botës për sa u përket reformave të një viti, nga maji i 2007-ës deri në maj 2008. “Banka Botërore deklaroi se këtë vit Shqipëria parakaloi 50 vende të botës nga vendi i 136-të arriti në vendin e 86-të. Në të gjithë historinë e saj kjo është hera e parë që Shqipëria për një zhvillim të rëndësishëm renditet e dyta në botë”, - deklaroi Berisha. "Beteja për lirinë e tregut është një betejë për prosperitetin, rruga drejt kapitalizmit të vërtetë u ndërmor me reforma. Tregu i lirë është një dëshmi e vullnetit të hekurt të qeverisë për të ndërtuar në Shqipëri sistemin e vërtetë kapitalist. Qeveria ime ka bërë një arritje historike. Ne ishim ata që pasi përmbysëm Partinë Socialiste, ndërtuam ekonominë e lirë të tregut. Shqipëria me treguesit e saj dhe zhvillimin e shpejtë ka nisur të quhet Tajvani i ardhshëm i Evropës”, - tha Berisha.