E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Opozita po pengon hetimet për Trebickën

Tentativat e opozitës për të përfituar politikisht me ngjarjen e fundit, që ka të bëjë me vdekjen e një dëshmitari për tragjedinë e Gërdecit dhe tregtinë e armëve, PD vazhdon t’i cilësojë si makinacione të ulëta politike. Kreu i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, e sheh protestën e lajmëruar nga opozita si një inkusion politik të ekzagjeruar, madje makabër. Patozi thekson se opozita po paragjykon organet e specializuara që kryen hetimet dhe po i pengon ato. Opozita po e përdor vdekjen e Kosta Trebickës si argument për të sulmuar qeverinë. Patozi u ndal dhe për ligjin e prokurorisë, i cili është paragjykuar ende pa ardhur në Parlament. Duke folur për protestën e paralajmëruar të opozitës, Patozi shprehet se “nëse më duhet të jap një mendim për këtë, mua kjo protestë më duket e ekzagjeruar dhe për fat të keq pak makabre. Sepse ky është një proces, i cili ngrihet mbi fatkeqësinë apo mbi vdekjen tragjike të një njeriu, dhe duket se opozita ka paragjykuar dhe ka folur para organeve të specializuara, të cilat kanë dhënë një version të kundërt me të sajin. Opozita po përpiqet të instrumentalizojë një tragjedi njerëzore dhe po bën sikur është më e shqetësuar se vetë familjarët e të ndierit Trebicka”. Në këtë kontekst, sipas tij, është një lëvizje e paqëlluar dhe e pagjetur nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste. Ndërkaq akuzave të opozitës, që për nga rëndësia që kishte ky person në zbardhjen e çështjes së Gërdecit, ai duhej të vihej në mbrojtje, Patozi u përgjigjet se “zoti Trebicka është konsideruar nga opozita si një dëshmitarë kyç i çështjes së Gërdecit dhe kjo nuk është e vërtetë, por dhe si kur të ishte nuk është qeveria ajo, nuk është mazhoranca ajo që vendos se cilat janë personat dëshmitarë kyç të ngjarjeve të ndryshme që duhen mbrojtur”. Sipas Patozit, “është një organ tjetër që duhet të vendosë për sa kohë kjo nuk ka ndodhur, për sa kohë vetë zoti Trebicka nuk ka kërkuar në asnjë rast, për sa kohë vetë zoti Trebicka ka qenë i lirë të ndjekë pasionet e tij pa asnjë problem, sigurisht të drejtosh gishtin tek qeveria apo dikush tjetër është abuzim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›