E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn, Bashës: Në 2009-n, shqiptarët pa viza në BE

Brukseli premton lëvizje të lirë për shqiptarët brenda vitit 2009 dhe mbështetje për vijimësinë e reformave të Tiranës zyrtare për integrimin në BE. Kjo iu bë e ditur ministrit tonë të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nga kryekomisioneri për Zgjerim, Olli Rehn, në Bruksel. Sipas dy diplomatëve, viti 2009 pritet të jetë një vit vendimtar për procesin e lëvizjes së qytetarëve drejt hapësirës “Shengen”. Gjatë vizitës dyditore atje, ministri Basha bisedoi edhe me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Jacques Barrot, drejtorin e Përgjithshëm të “DG Enlargement”, z. Michael Leigh, si dhe homologë, ministra të Jashtëm të BE-së. Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe liberalizimi i vizave ishin temat kryesore të takimeve që ministri Basha pati në Bruksel. Siç bën të ditur MPJ, gjatë takimit me Komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn, ministri Basha informoi bashkëbiseduesin mbi hapat e fundit që Shqipëria ka ndërmarrë në drejtim të reformave dhe zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetme mes BE-së dhe Shqipërisë. Ministri Basha u ndal në punën e bërë nga institucionet shqiptare në drejtim të krijimit të një klime të favorshme për biznesin, luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Ai informoi komisionerin Rehn mbi procesin e miratimit të kodit të ri zgjedhor, dhe vazhdimësinë e reformës në drejtësi nëpërmjet procesit të miratimit të ligjit të ri për prokurorinë. Në këtë kuadër, ministri Basha nënvizoi vullnetin e përbashkët të mazhorancës dhe opozitës, për të ecur përpara në këto dy reforma të rëndësishme për vendin brenda një kohe të shkurtër. Konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor mbeten prioritete absolute të qeverisë shqiptare, - nënvizoi ministri Basha. Duke vënë theksin në arritjet e fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministri Basha vuri në dukje se në sajë të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare, Shqipëria demonstron sot jo vetëm rezultate të qarta, por dhe kapacitetet e nevojshme për t’i bërë këto arritje të qëndrueshme dhe sistematike. Performanca ekonomike e vendit, e cila e rendit Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore dhe realizimi rekord i të ardhurave, ishin disa nga temat e tjera të diskutimit mes ministrit Basha dhe komisionerit Rehn. Ky i fundit shprehu vlerësimet e tij për përparimin e bërë nga Shqipëria dhe e siguroi ministrin Basha për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të komisionit për vazhdimin e mëtejshëm të reformave. Duke iu referuar edhe raportit më të fundit të Bankës Botërore, mbi klimën e biznesit në Shqipëri, komisioneri Rehn shprehu kënaqësinë e tij për njohjen dhe vlerësimin e reformave të ndërmarra dhe e siguroi ministrin Basha për marrjen në konsideratë të këtyre arritjeve edhe në progres-raportit e BE-së në nëntor 2008. Komisioneri Rehn vlerësoi bashkëpunimin mazhorancë-opozite për kodin zgjedhor dhe reformën në drejtësi, dhe theksoi që ky bashkëpunim është i rëndësishëm dhe i mirëpritur në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Jacque Barrot, ministri Basha u ndal në veçanti në prodhimin e kartave dixhitale dhe pasaportave biometrike. Pajisja e qytetarëve me këto dokumente të sigurisë së lartë është objektiv madhor i qeverisë në përmbushje të kriterit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, - theksoi Basha. Shpërndarja e këtyre dokumenteve pritet të nisë në janar 2009. Në këtë mënyrë, Shqipëria siguron infrastrukturën më bashkëkohore për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Njëkohësisht kjo përmbush dhe një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Kontrolli i integruar i kufijve, lufta e suksesshme kundër trafiqeve dhe e emigracionit klandestin, rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe reforma në drejtësi, ishin disa nga temat kryesore të takimit të ministrit Basha me zëvendëspresidentin Barrot.

Basha dhe Shehu në Bruksel, për mbledhjen e PPE-ve

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, si përfaqësues i PDSH-së dhe Tritan Shehu, si përfaqësues i PDR-së, morën pjesë dje në mbledhjen e byrosë politike të Partisë Popullore Evropian, EPP, e cila mbahet në Bruksel. Të dy partitë demokratike janë anëtare të PPE-ve. Ndaj janë të ftuar edhe z. Basha dhe nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu. Byroja Politike e Partive Popullore Evropiane (PPE) do të vijojë punimet e saj edhe gjatë ditës së sotme në Bruksel (Belgjikë), në mjediset e Parlamentit Evropian, nga ku do të diskutojë, mes të tjerave, edhe çështje të rëndësishme politike, që lidhen me rajonin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›