Koçi: Rama nuk është distancuar nga bosi i Gërdecit
Drejtuesi i partisë më të re brenda së majtës që pritet të legalizohet së shpejti nuk sheh asgjë të keqe në takimin mes Ramës dhe Metës, por e sheh si të dyshimtë që kjo ftesë vjen gjashtë muaj pas tragjedisë së Gërdecit, kohë që sipas tij, Rama i ka lejuar Berishës që të kontrollojë grupin parlamentar të PS-së. "Takimet mes politikanëve nuk sjellin asnjëherë dëme, veçse në rastet kur ato janë jotransparente. Veçse të kërkosh vetëm tani, 6 muaj pas tragjedisë, takim për Gërdecin është joserioze dhe e dyshimtë. Aq më tepër kur pas Gërdecit ishte vetë Rama që noterizoi me grupin e tij parlamentar vënien e Parlamentit nën kontrollin e Berishës”, - tha Koçi. Sipas Koçit, ndërkohë “në PS s'është ndërmarrë asnjë përpjekje për t’u distancuar nga krahu politik i bosit të Gërdecit, njëkohësisht bos ndërtimesh në Tiranë, që ka nën kontroll vendimmarrjen politike në parti. Është e pamoralshme që krahu politik i bosit të Gërdecit në PS të organizojë protesta për të kërkuar drejtësi”. “Qëndrimi ynë konstant mbetet angazhimi për pastrimin e klasës politike nga lidhjet dhe fenomenet bipartizane që çuan në tragjedinë e Gërdecit dhe forcimin e pushteteve informale deri në aftësinë për të eliminuar dëshmitarët e drejtësisë”, - përfundoi Koçi.