Rama rinis dialogun me Shqipërinë për problemet e arsimit
Megjithëse fushata elektorale nis në vitin 2009, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nisur dje takimin e parë në Shkodër për atë që ai e ka quajtur “Dialogu me Shqipërinë”. Pas fazës së parë të organizuar në shtator-maj të vitit 2007-2008, kjo është faza e dytë që po ndërmerr PS-ja për të ndërtuar programin e ri politik. Zyrtarët e PS-së i kanë dhënë emrin “Rruga e ideve për të ardhmen”. Gjatë vizitës së tij në Shkodër, z. Rama ka takuar arsimtarë e pedagogë. Sipas tij, aktualisht 10% e popullsisë është analfabete, por përveç citimeve të statistikave, Rama nuk jep ndonjë zgjidhje që mund t’i bëhet këtij problemi. Në fjalimin e tij, kryetari i PS-së tha se “ky është një realitet i krijuar në këto vite të tranzicionit të premtimeve, për shkak të mungesës së një vizioni dhe një strategjie koherente, si dhe për shkak të mungesës së përgjegjshmërisë dhe paaftësisë qeverisëse, për të vënë në jetë një vizion dhe një strategji të caktuar”, duke vazhduar se “sot, përveçse më shumë analfabetizëm të shkaktuar nga kjo politikë e vjetër, me arsimin kemi edhe një Shqipëri të papunë, një Shqipëri ku papunësia zyrtare është 13 %, siç është edhe analfabetizmi 10 %”. Për Ramën, problemi i papunësisë mund të zgjidhet duke i dhënë më shumë rëndësi arsimit profesional, kur deri tani është arsimi i përgjithshëm që ka qenë qendra e vëmendjes. Ai tha se “gjëja më e lehtë dhe papërgjegjshmëria më spektakolare ka qenë për të ndërtuar arsim të përgjithshëm për të gjithë dhe këdo, duke harruar se shumëkush ka nevojë për një arsim profesional, shkurt për një zanat dhe duke bërë që Shqipëria të jetë gjithmonë e më pak vendi i zanateve dhe njerëzve të zanatit dhe vendi i njerëzve të papunë”. Rama i kundërvihet vetë deklaratave të tij, sepse më pas në fjalim ai shton gjithashtu se beson me forcë se “duke i konsideruar fëmijët, të rejat dhe të rinjtë, jo thjesht si njerëz që do të mësojnë shkrim e këndim e që do të marrin një diplomë, por si qenie shoqërore, që kur të dalin nga dera e universitetit, të jenë qytetarë aktivë dhe të vlefshëm me dijet dhe krahun e tyre të kualifikuar të punës”. Por ai nuk thotë se për të qenë qytetarë aktivë, elitat universitare duhet të ndjekin paraprakisht arsimin e përgjithshëm dhe jo atë profesional.