E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Reforma në drejtësi, jo pa pyetur Gjykatën e Lartë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën thirrje përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, që të rrinë larg aferave korruptive dhe imazhit korruptiv që e ka veshur ndër vite këtë sistem. Njëherësh kreu i shtetit kërkon prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që të përfshihen në debatin për reformimin e sistemit gjyqësor. Topi iu bëri thirrje atyre që aty ku kërkohet, të marrin pjesë në debate, pa interferuar me çështjet e debatit politik, por të thonë mendimin e tyre, me zë të hapur e profesional në tavolina institucionale. Sipas Presidentit Topi, "vendimmarrja politike është ajo që i vendos në mënyrë definitive gjërat në ligj, por gjatë këtij procesi, është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i juristëve, sidomos zëri i atyre, që janë në organet më të rëndësishme të gjyqësorit". Duke marrë shkas nga debati që po bëhet aktualisht për reformën në sistemin gjyqësor, Presidenti zhvilloi dje një takim me anëtarët e Gjykatës së Lartë, nga ku nuk nguroi të thumbojë dhe politikën. Sipas tij, anëtarët e Gjykatës së Lartë duhet të bëhen pjesë e këtij diskutimi sa nuk është vonë.

“Do të ishte jo e këndshme që anëtarët e Gjykatës së Lartë, qoftë dhe anëtarët e gjykatave të tjera, të rrinin indiferentë kur diskutohet pikërisht për çështje që janë shumë të rëndësishme të reformimit të pushtetit gjyqësor”, - tha z. Topi. Duke nënkuptuar se ligjet duhet të bëhen në konsultim të plotë me grupet e interesit, kreu i shtetit tha se ndihet nevoja e një motivimi për t’u bërë pjesë e debateve. Në prag të përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit siguroi se zgjedhja e tij do të jetë për një njeri larg ndikimit politik, por edhe aferave korruptive. Në gjykimin e Presidentit të Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë një individ me integritet të lartë moral dhe profesional, në gjendje të përfaqësojë denjësisht pushtetin gjyqësor, të përballet me sfidat që ka ky pushtet dhe të jetë në gjendje t’iu qëndrojë larg influencave jo vetëm politike, por edhe nëpërmjet një linje tjetër që është shumë influente në pushtetin gjyqësor, pikërisht aferave që vijnë nëpërmjet interesave ekonomike. Një tjetër sfidë me të cilën Presidenti u kërkoi që të përballen gjyqtarët e lartë e nëpërmjet tyre edhe gjyqtarëve të shkallëve të tjera të gjyqësorit, ishte garantimi i paanësisë dhe profesionalizmit në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor t’iu largohet përfundimisht aferave korruptive dhe imazhit, me të cilin e ka veshur perceptimi i publikut.

Anëtarët e gjykatës vlerësuan Presidentin Topi për këtë takim pune dhe shprehën vullnetin për një angazhim më të madh në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese, si dhe për një kontribut më të madh në procesin për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Topi: Pasardhësi i Kondit, jo politik

Presidenti Bamir Topi u kërkoi dje anëtarëve të Gjykatës së Lartë që të kërkojnë kriteret më të larta në përzgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Kjo, për faktin se z. Thimio Kondit, ish-drejtuesit të mëparshëm, i ka përfunduar mandati. Sipas z. Topi, kryetari i Gjykatës së Lartë është shumë i rëndësishëm. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, informoi në takimin e djeshëm me anëtarët e Gjykatës së Lartë se procesi për zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate është në përfundim dhe vjen si rezultat i një vlerësimi analitik profesional, i cili sipas tij, bëhet edhe më i vështirë kur duhet të zgjedhësh midis kualitetit. “Ai jo vetëm duhet të ruajë më shumë dinjitet institucionin, por ai duhet të jetë një njeri me karakter shumë të fortë, pa diskutim me një përvojë, ai duhet të garantojë institucionin dhe në emër të Gjykatës së Lartë dhe të gjithë imazhin e pushtetit gjyqësor, që të jetë i ekuilibruar, të jetë i painfluencuar”, - tha z. Topi. Presidenti shtoi se “jemi mësuar të themi të jetë i painfluencuar nga politika, por nuk është thjesht politika që influencon, se ka dhe një linjë tjetër që është shumë influente për pushtetin gjyqësor, që është pikërisht afera që vjen përmes interesave ekonomike”. Pak kohë më parë politika u përfshi nga debati pikërisht për 6 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Propozimet e Presidentit u refuzuan nga Kuvendi, për shkak se sipas mazhorancës, më parë nuk ishte marrë mendimi i organit ligjvënës mbi këto kandidatura. Që prej datës 6 qershor 2008, kur përfundoi edhe mandati i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, në krye të këtij institucioni nuk është zgjedhur ende drejtuesi i ri. Pengesë për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni ka qenë edhe procesi i zgjatur, nëpër të cilin ka kaluar përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë bërë betimin para Presidentit të Republikës, në datën 31 korrik 2008.

Kryetari do të zgjidhet nga anëtarët aktualë

Presidenti Bamir Topi do të zgjedhë një nga 16 anëtarët aktualë të Gjykatës së Lartë, për ta bërë kryetar të saj. Duke u bazuar në Kushtetutë, ai do ta zgjedhë kreun e kësaj gjykate nga trupa gjykuese dhe nuk do të sjellë një anëtar të ri nga jashtë gjykatës. Në nenin 136 të ligjit themeltar të shtetit thuhet shprehimisht: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi”. Tashmë ai duket se do ta ketë pak më të lehtë kalimin e këtij emri në Kuvend, pasi morën miratimin 6 gjyqtarët për vendet vakante në këtë institucion. Nuk dihet nëse kreu i shtetit do të zgjedhë një prej 6 të dekretuarve së fundmi prej tij, apo një anëtar të mëparshëm për ta bërë kryetar, por ai ka premtuar se ai që do marrë atë detyrë do të jetë një njeri që do të veprojë sipas ligjit.

Gjykata e Lartë përbëhet nga këta anëtarë:

Gani Dizdari

Perikli Zaharia

Spiro Spiro

Irma Bala

Evjeni Sinoimeri

Shpresa Beçaj

Ardian Dvorani

Besnik Imeraj

Fatos Lulo

Ardian Nuni

Arjana Fullani

Evelina Qirjako

Guxim Zeneli

Majlinda Andrea

Andi Çeliku

Aleksandër Muskaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›