E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, përparime për liberalizimin e vizave

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti dje në një takim Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Evropian, Luigi Soreca, të shoqëruar nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Helmut Lohan. Në këtë takim Ministri Basha informoi Soreca për ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. 

Duke u ndalur te planet e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufirit, Ministri Basha bëri të ditur në këtë takim hapat e ndjekur për instalimin e plotë të  sistemit të informacionit për kontrollin kufitar TIMS, për analizën e informacionit kriminal MEMEX, si dhe për kontrollin e kufirit detar. Ministri Basha nënvizoi se të gjitha këto sisteme do të integrohen mes tyre duke mundësuar pajisjen e Shqipërisë me një nga sistemet më të përparuara të kontrollit të kufirit dhe analizës së informacionit kriminal në Evropën Juglindore.

Ministri Basha vuri në dukje se megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike ka filluar në muajin maj të këtij viti, deri më tani numërohen rreth 200 mijë aplikime dhe mbi 190 mijë pasaporta të prodhuara, çka përbën një ritëm shumë më të mirë të këtij procesi se vendet e tjera të rajonit që e kanë filluar më herët dhe janë tashmë më pranë përfitimit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Ministri Basha duke shprehur falënderimet për nxitjen, mbështetjen dhe asistencën e strukturave të Bashkimit Evropian për përmbushjen e kritereve teknike në drejtim të liberalizimit të vizave, deklaroi se, “Shqipëria mirëpret verifikimin e përparimeve të arritura nga inspektimi i afërt i Komisionit Evropian”.

Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Evropian, Luigi Soreca duke vlerësuar përparimin e bërë në kriteret më të rëndësishme për liberalizimin e vizave, u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe do të ketë në vijimësi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për konkretizimin e të gjithë hapave të nevojshëm deri në arritjen e një propozimi konkret për liberalizimin e vizave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›