Berisha: Lëvizje pa viza brenda vitit të parë të mandatit
TIRANE-Është mbledhur sot, Komiteti Ndërministror i Integrimit për të shqyrtuar të gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave. Komiteti drejtohj nga Kryeministri Berisha I cili tha se klima në Bruksel për këtë cështje është pozitive cka sjell edhe përmbushjen e premtimit të kësaj maxhorance, lëvizje pa viza brenda vitit të parë të këtij mandati.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit është thirrur sot për të shqyrtuar të gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave. Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë përbën një nga arritjet më madhore të shqiptarëve, e pritur në shekuj. Ndaj, përmbushja e çdo detyrimi që rrjedh nga ky proces është detyrë e të gjitha detyrave tona. Qeveria, agjencitë që varen prej saj dhe institucione të tjera, në funksion të kërkesave të Komisionit Evropian për heqjen e vizave janë të detyruar të programojnë të gjitha burimet për të zbatuar masat e kërkuara. Klima është pozitive. Ka vlerësim real për arritjet, por ka edhe çështje që duhet të zgjidhen.” Berisha premton se, brenda vitit të parë të këtij mandati të merret vendimi për heqjen e vizave. Kjo pasi procesi po ecën me ritme të shpejta. Janë printuar mbi 190 mijë pasaporta biometrike, aplikimet shkojnë në 201 mijë dhe janë tërhequr rreth 150 mijë pasaporta biometrike nga qytetarët. Këto deklarata janë bërë në pritje të raportit të dytë të Progresit nga të dërguarit e Komisionit Evropian. Ata do të kenë takime të zgjeruara me agjencitë, ndërsa kryeministri Berisha thekson që, klima është pozitive dhe shumë miq të Shqipërisë, përfshi dhe Parlamentin Evropian, kanë inkurajuar Komisionin. (m.a/BalkanWeb)