E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipojë, Policia Ndërtimore prish 4 pallate në ndërtim

SHKODER - Aksioni i djeshëm i policisë ndërtimore në Velipojë është përcjellë me kundërshtim të pronarëve të godinave që janë në listën e atyre që shemben.

Gjatë paradites të djeshme, në qendër të komunës janë përqendruar forca të shumta të policisë së ndërtimit dhe atyre të rendit. Aksioni ka nisur dy ditët e fundit, duke shembur 15 ndërtime pa leje, të cilat kryesisht janë në vijën e parë të bregut të detit në një distancë deri 200 m larg vijës ujore. Objektet të cilat janë prishur kanë qenë jo vetëm ndërtesa njëkatëshe pushimi, por edhe lokale madje edhe pallate 3-4 katëshe në ndërtim e sipër. Inspektorati i ndërtimit ka filluar prishjen e objekteve në ndërtim të kompleksit "Fishta", kompleks ky i cili më 27 nëntor 2007 ka marrë miratimin e KRRTRSH-së për studimin urbanistik pjesor në një territor ndërtimi në plazhin e Velipojës me sipërfaqe 6.250 m2. Mësohet se pronarët e tyre, në pritje për të marrë lejen e ndërtimit kishin nisur punën, pa menduar prishjen e 4 godinave në ndërtim e sipër, vlera e të cilave shkon sipas tyre në 3 milionë euro. Ndërsa pronarët kanë reaguar ashpër për aksionin, banorët e zonës shprehen të pakënaqur me momentin kur ka nisur aksioni i prishjes së ndërtimeve. "Këto prishje ndërtimesh jo vetëm që janë të qëllimshme, por ato po e kthejnë Velipojën në një gërmadhe lufte dhe jo në një vend pushimi në prag të fillimit të sezonit turistik", - shprehen disa nga banorët e zonës si dhe disa nga investitorët e këtij plazhi. Burime nga Komuna e Velipojës shprehen se faza e prishjeve të ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Velipojës ka nisur para një jave dhe do vijojë deri në prishjen e plotë të ndërtimeve pa leje në një distancë të caktuar rreth 150 m larg bregut të detit . Gjatë kësaj jave janë parashikuar të prishen rreth 76 objekte ndërkohë që në muajin shtator pritet të ketë edhe një fazë tjetër prishjesh në këtë plazh.    r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›