E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria: Klinikat private janë brenda standardeve

Klinikat private në vend plotësojnë të gjitha standardet. Madje, cilësia e shërbimit në to është disa herë më e mirë se në spitalet publike.

zirina llambro

Ky është konkluzioni i Ministrisë së Shëndetësisë, pas kontrolleve të ushtruara në 4-mujorin e parë të vitit. "Janë kontrolluar më shumë se 300 klinika e laboratorë në të gjithë vendin dhe ka rezultuar që janë brenda standardeve. Kontrollet do të vazhdojnë sërish", bën me dije ministria. Sipas këtij dikasteri, edhe stafi mjekësor që punon në to është tejet profesional. Por në pikëpyetje vihen këto rezultate për aq kohë sa të gjithë kanë parë me sytë e tyre klinika edhe kirurgjikale në bodrume pallatesh e shtëpi private. Gjithaq të dhënat e ministrisë bien ndesh me atë që thonë pacientët. Të shumta janë rastet kur pasi kanë kryer 3-4 herë privatisht analizat ata rikthehen në spitalin shtetëror, pasi rezultatet ndryshojnë nga një klinikë tek tjetra. "Bëra 3 herë eko në laboratorë të ndryshëm dhe asnjëri nuk më nxori problemet. Madje, gjatë konsultave me mjekët, të gjithë me nxirrnin diagnoza të tjera", thotë Shpresa, një prej pacienteve që po kurohet në pavijonin e urologjisë në spitalin "Nënë Tereza". Kjo nuk do të thotë se situata është më e mirë në QSU. Prej muajsh në spital mungojnë reagentët e kryerjes së ekzaminimeve e për rrjedhojë e vetmja zgjidhje mbetet privati. Të tjera pretendime ngrihen nga bluzat e bardha. Sipas tyre, me qëllim transferimin e të sëmurëve në klinikat private ku punojnë, janë vetë mjekët që insistojnë për kryerjen e analizave jashtë spitalit. Ndërkaq burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë sqaruan për gazetën se, kontrollet për standardet e punës në klinikat private janë shumë të rralla. "Nuk ka ndonjë grafik, zakonisht klinikat kontrollohen kur i vjen koha e rilicencimit. Duke ditur këtë nuk është aspak çudi që të përmirësojnë kushtet një herë në 5 vjet", thanë burimet. Disa ditë më parë Ministria e Shëndetësisë deklaroi se, do të ndryshojë procedurat e dhënies së licencave për klinikat private. Kjo deklaratë u bë pas vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, e cila operacionin e parë në bajame e bëri pikërisht në një klinikë private në qytetin e Pogradecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›