LSI, skemë të re për votimin e emigrantëve
Lëvizja Socialiste për integrim ka hartuar një draft që do të dorëzohet këto ditë në Komisionin e Reformës Zgjedhore lidhur me mënyrën e votimit të emigrantëve shqiptarë. Burime nga LSI-ja konfirmuan dje se drafti në fjalë parashikon votimin me post, një mënyrë tradicionale kjo që është ndjekur nga mjaft vende të tjera. Votimi bëhet në ambasada apo konsullata të vendit tonë, me fletë votimi të veçantë. LSI-ja gjen zgjidhje edhe se ku shkon kjo votë për t’u numëruar, Gjithçka zgjidhet përmes numrit të pasaportës që disponon normalisht çdo emigrant shqiptar. Veçse ajo duhet të numërohet si votë nga lokaliteti ku emigrantit shqiptar i është lëshuar pasaporta. E thënë ndryshe, një emigrant shqiptar që është pajisur me pasaportë në Tiranë, edhe vota e tij do të numërohet për këtë zonë zgjedhore. Pavarësisht se e kanë një prej kushteve kryesore, LSI-ja nuk la pa shigjetuar edhe heshtjen e Partisë Socialiste lidhur me këtë çështje. Kështu, kryetari i KDK-së, Edmond Haxhinasto tha dje për mediat se pavarësisht se kryetari i PS-së, Rama, ndodhet aktualisht mes emigrantëve shqiptarë në Greqi, e vetmja çështje për të cilën nuk ka folur është ajo e votimit të tyre. “Ne kemi bindjen se vetëm në rast se emigrantët do të kenë të drejtën e votës, çdo qeveri që do të vijë në Tiranë, do të jetë e interesuar të përkujdeset siç duhet, të kryejë detyrimet e saj kushtetuese ndaj një të tretës së shqiptarëve. Ata që kanë detyrime të parealizuara ndaj emigrantëve, sigurisht nuk duan që ata të votojnë. Pra, emigrantët nuk kanë nevojë më për demagogji, por për veprim konkret”, - tha Haxhinasto. Kryetari i PS-së, Edi Rama, prej pak ditësh ndodhet mes emigrantëve shqiptarë. Ai ka premtuar se do të ketë grup pune për shqetësimet e tyre, por nuk është përmendur asnjëherë çështja e të drejtës së tyre për të votuar. Në lidhje me këtë çështje, PS-ja ka heshtur, pavarësisht kërkesave të shumta që ka pasur nga aleatët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Detaj
Edmond Haxhinasto tha dje për mediat se pavarësisht se kryetari i PS-së, Rama, ndodhet aktualisht mes emigrantëve shqiptarë në Greqi, e vetmja çështje për të cilën nuk ka folur është ajo e votimit të tyre.
Detaj
Edmond Haxhinasto tha dje për mediat se pavarësisht se kryetari i PS-së, Rama, ndodhet aktualisht mes emigrantëve shqiptarë në Greqi, e vetmja çështje për të cilën nuk ka folur është ajo e votimit të tyre.