E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit: Duam veton

Të vegjlit kërkojnë rikthimin e të drejtës së vetos. Ngritja e një komisioni të posaçëm për Kodin e ri Zgjedhor risolli në vëmendje debatin mes të vegjëlve dhe dy partive të mëdha, tanimë për mënyrën e vendimmarrjes. Dy partitë që nga pesha elektorale renditen pas PD-së e PS-së, Partia Republikane e Lëvizja Socialiste për Integrim, reaguan dje duke e konsideruar të papranueshme vendimmarrjen e re në këtë komision. Megjithatë, krerët e grupeve e parlamentare, Arjan Madhi dhe Pëllumb Xhufi, u shprehën se do të marrin pjesë në të. Sipas kreut të grupit kuvendor të PR-së, Madhi, kuvendi veproi me dy standarde. "Kuvendi u hoqi të drejtën partive të vogla për veton dhe ua dha atë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste”, - tha Madhi duke shprehur nga ana tjetër shqetësimin e Partisë Republikane për ndarjen e përqindjes së votave në rang republike pas zgjedhjeve. Pavarësisht se është kundër mënyrës së re të vendimmarrjes në komision, ai konfirmoi se votat e PR-së do të bëhen të ditura gjatë punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i LSI-PDS-së, Pëllumb Xhufi, hodhi dyshime për efikasitetin e vendimmarrjes së re. "Sipas vendimit të Kuvendit, në komision nuk ka të drejtë barazie në vendimmarrje, pasi fjalën kryesore e thonë PD-ja e PS-ja. Përvoja e bashkëpunimit të këtyre forcave politike ka sjellë vendimmarrje të gabuara", - u shpreh Xhufi. Zërit të këtyre dy partive iu bashkua edhe Partia Demokracia Sociale. Sekretari politik në këtë parti, Artur Duçkallari, e konsideroi një pakt të ri mes dy partive. Por duket se “inatin” kjo e parti e ka me Partinë Socialiste, ish-aleaten e saj, pasi kjo e fundit, sipas PDS-së, është bërë pjesë e marrëveshjes dypalëshe me PD-në. “I bëjmë thirrje Partisë Socialiste të kthjellohet dhe të rigjejë guximin për t’u bashkuar në radhë të parë me opozitën, përpara se të ndjekë rrugën pa krye ku po e fut PD-ja”, - tha Duçkallari.

Funksionimi

Sipas vendimit të Kuvendit dy ditë më parë, Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore përbëhet nga shtatë anëtarë, me përfaqësues sipas grupeve parlamentare. Këtë herë për të zhbllokuar vendimmarrjen, PS-ja e PD-ja kanë rënë dakord që të ndryshojnë formulën që ndryshe quhet vendimmarrje e moderuar. Në këtë mënyrë përfaqësuesi në komision kur hedh votën, ajo barazohet me numrin e deputetëve që ka çdo grup parlamentar. Sipas kësaj formule, partitë e vogla nuk mund të bllokojnë më punën e komisionit, ndërsa çështja e vendimmarrjes mes dy partive është zgjidhur në një tjetër mënyrë, asnjë parti nuk mund të marrë vendim pa miratimin e palës tjetër, çka çon në një konsensus paraprak PD-PS.

Xhafa: Përfaqësimi në komision, sipas peshës reale në Kuvend

Bashkëkryetari i Komisionit të Kodit Zgjedhor, Fatmir Xhafa, shpjegoi dje mënyrën se si do të funksionojë komisioni i posaçëm parlamentar për bërjen e reformës zgjedhore. Sipas Xhafës, komisioni që është i përbërë nga shtatë anëtarë, sipas numrit të grupeve parlamentare në Kuvend, do të ketë vota në bazë të numrit të deputetëve që ka çdo grup. “PS-ja ka 37 vende në Parlament, kjo do të thotë se PS-ja do të përfaqësojë 37 votat e saj dhe as më shumë e as më pak”, - tha Xhafa. Por, pikërisht kjo peshë parlamentare parashikohet në një moment tjetër të vendimmarrjes që përbën një nga pikat me të rëndësishme ku arrihet konsensusi. Kështu, një votë në komision është e barabartë me numrin e deputetëve që ka çdo grup parlamentar në Kuvend. Edhe pse duket se në këtë rast do të jetë Partia Demokratike ajo që vendos, në këtë pikë, dy partitë e mëdha, kanë gjetur një tjetër zgjidhje, atë që s’mund të ketë vendim mes tyre pa u dhënë pëlqimi nga të dyja palët. Kjo sjell një farë konsensusi paraprak mes dy palëve. Ndërkohë që në këtë rast, partitë e vogla nuk kanë asnjë lloj mundësie që të imponohen në vendimmarrje, sikundër kishin të drejtë në Komisionin e Reformës që u ngrit një vit më parë. Të marra së bashku, ato nuk përbëjnë dot numrin e duhur për të rrëzuar vendimet e PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore. Brenda kësaj jave, pritet që komisioni të nisë nga puna, meqë Kuvendi e dha pëlqimin për ngritjen e tij dy ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›