Berisha: Ligj të ri "Antimafia"
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, "akuzon" Gjykatën e Lartë për ndryshimin e ligjit "Antimafie", që ka të bëjë me sekuestrimet. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha tha se do të ketë një ligj të ri për sekuestrimet sipas modelit anglez. Sipas Kryeministrit, vendimi për shfuqizimin e ligjit nga Gjykata e Lartë është një problem për drejtësinë shqiptare. "Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, vendim i cili ndërhyn duke kufizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale për krimin e organizuar. Ky vendim do të kundërshtohet me ligj. Ligji të bëhet urgjentisht dhe t‘i përmbahemi modelit britanik", tha Kryeministri dje në mbledhjen e qeverisë. Më pas tha se "drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë kundër Krimeve Serioze dhe të Organizuara të Britanisë së Madhe (SOCA), më foli për një ligj shumë të mirë dhe më pyeti nëse jemi të gatshëm për një ligj të tillë". Sipas Berishës, vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 2007 kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. "Atyre po nuk ua rrënove ekonominë, pushteti u mbahet. Ndaj, ne duhet të marrim ligjin e fundit që ka votuar Parlamenti britanik. Edhe ligji që ne adaptuam është ligj shumë i mirë. Ne e kemi gjetur të adaptuar atë, por ne nuk mund të kufizohemi në shembjen e perandorisë ekonomike të krimit, fuqisë ekonomike të krimit të organizuar. Sigurisht që brenda standardeve, por standardet i ka përcaktuar, sepse ajo që mund të bëhet në Itali dhe në Britaninë e Madhe, nuk ka pse mos të bëhet në Shqipëri. Ai ligj të sillet sa më shpejt në qeveri dhe Komisioni Europian kërkon përgjigje ligjore ndaj këtij vendimi. Kërkohet përgjigje ligjore, sepse kjo është një pengesë", vijoi Berisha. Gazeta "Shqip" publikoi disa muaj më parë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e ligjit "Antimafie" për sekuestrimet. Nga momenti i shpalljes së vendimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka pasur të pamundur të kërkojë në gjykatë sekuestrimin e pasurive të kriminelëve dhe të bandave kriminale. Në të paktën dy raste prokuroria ka hezituar të kryejë një kërkesë, duke ditur se vendimi unifikues ia ndalon një gjë të tillë. Për këto probleme, zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka informuar Prokuroren e Përgjithshme dhe lëvizjet "diplomatike" të hetuesisë sollën reagimin e fortë të kreut të qeverisë, i cili ka premtuar se brenda një kohe të shkurtër do të miratojë një ligj të ri për sekuestrimet, duke u dhënë fund problemeve pas vendimit të Gjykatës së Lartë.