Topi mbledh KLD-në për riorganizimin e Gjyqësorit
Presidenti Bamir Topi, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mblodhi dje anëtarët në një diskutim të gjatë. Mbledhja filloi në orën 10:00 të mëngjesit, për të vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi t‘u hap rrugën gjyqtarëve të rinj të Magjistraturës, duke i ftuar në konkurs, ndërsa nga ana tjetër bën shtimin e numrit të gjyqtarëve në disa gjykata dhe reduktimin në disa të tjera. Po në këtë këshill dje pati procedime disiplinore ndaj disa gjyqtarëve. Kjo ka qenë edhe pika më e nxehtë e diskutimeve. Në mbledhjen e djeshme u diskutua për katër pika kryesore: emërimet e reja të gjyqtarëve; riorganizimi i gjithë Gjyqësorit; rritja e numrit të gjyqtarëve dhe procedimi për tetë gjyqtarë të ndryshëm të rretheve gjyqësore. Këto ishin katër pikat, të cilat në mbledhjen e djeshme hasën shumë diskutime dhe kundërshtime. Mbledhja pati debate të ashpra dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Askush nuk dha informacion për atë çfarë ndodhte brenda, edhe pse kohë më parë u premtua se gjithçka do të jetë transparente. Diskutimet ishin të shumta për sa u përket procedimeve dhe disa prej propozimeve të bëra nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Kështu, sipas tij, disa gjykata do të favorizohen duke u rritur numri i gjyqtarëve dhe te disa të tjera do të ketë ulje të numrit të gjyqtarëve. Në mbledhjen iu dha përparësi edhe Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu dje është pranuar propozimi i ministrit Alibeaj për të rihapur konkursin për gjyqtarë në Shkollën e Magjistraturës. Po dje, është pranuar fakti se dy gjykatat më të mëdha në vend kanë nevojë për rritjen e numrit të gjyqtarëve. Kështu, në Gjykatën e Durrësit dhe të Tiranës, si në Apel, ashtu dhe në atë të Rrethit Gjyqësor, do të ketë shtim të numrit të gjyqtarëve, por nga ana tjetër do të ketë reduktim në gjykatat më të vogla në vend. Mbledhja e djeshme ishte e fokusuar edhe te procedimet disiplinore. Rasim Doda, Enkeleda Kashuri dhe Nevrije Hado janë tre gjyqtarë të cilët kanë më shumë se një vit që e kanë emrin në KLD. Procedimi i tyre është shtyrë në tre mbledhje radhazi për arsye të ndryshme.