LSI: Rama të distancohet nga konsensusi me Berishën
Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Luan Rama, i ka bërë dje thirrje kreut të PS-së, Edi Rama, që të mos i ofrojë konsensus qeverisë për reformën e re në drejtësi. “Ftojmë publikisht kryetarin në pushtet të Partisë Socialiste në opozitë që të distancohet qartë dhe prerë nga konsensusi politik apo nga konsensusi i së keqes me Berishën”, - tha Rama i LSI-së. Ndërkaq, sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin se konsensusi politik midis lidershipit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste po mban peng në mënyrë të qëllimtë reforma të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimet demokratike dhe të ardhmen e vendit dhe në mënyrë të veçantë po mban peng reformën zgjedhore dhe reformën në sistemin e drejtësisë. ”Bashkëfajësia në deformimin e Kushtetutës paralajmëroi gjithçka po ndodh aktualisht dhe që ka të bëjë me sulme të qëllimta dhe të organizuara të mazhorancës mbi prokurorinë dhe mbi organet e drejtësisë, që frymëzohen nga afera korruptive dhe që synojnë eliminimin e pavarësisë së këtyre organeve dhe shndërrimin e tyre në instrumente të imponimit të pushtetit”, - tha zyrtari i LSI-së. Ish-deputeti i PS-së, tashmë pjesë e LSI-së, tha më tej se “ne bashkohemi me shqetësimin e shprehur nga përfaqësuesit apo aktorët e interesit, siç janë gjyqtarët, prokurorët, noterët dhe avokatët, në debatin e hapur nga Transparency International Albania. I ftojmë dhe i inkurajojmë ata të vazhdojnë përpjekjet dhe luftën e tyre për të mbrojtur pavarësinë e organeve të sistemit të drejtësisë, si një nga kolonat themelore që dëshmon funksionimin dhe veprimin e shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike”.