E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takon zyrtarin e Puljas për fushatën për shëndetin e gruas



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në përvijim të fushatës së saj për kujdes shëndetësor ndaj nënës dhe fëmijës, në bashkëpunim me Presidencën e Rajonit të Puljas, do të bëjë të mundur dërgimin e aparaturave diagnostikuese të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës në qytete të ndryshme të Shqipërisë, siç edhe ka premtuar gjatë takimeve të saj në kuadrin e turit “Gratë për gratë!” Ajo është takuar dje për të nisur një fazë të re të angazhimit të saj në këtë fushë me drejtuesin e programit Interreg 3, drejtorin e përgjithshëm të Presidencës së Rajonit të Puljas, Leonardo Volpiçela dhe drejtues të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Biseda u fokusua në masat dhe hapat e ndërmarrë nga programi i qeverisë italiane Interreg 3 në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për diagnostifikimin e tumorit të gjirit dhe mitrës tek gratë. Drejtori i programit Leonardo Volpiçela, vlerësoi si thelbësore në rezultatet e këtij programi, mbështetjen dhe angazhimin e kryetares së Kuvendit në fushatën e ndërgjegjësimit të rrezikut të tumoreve tek gratë, në shoqërinë shqiptare. "Dua t'ju falënderoj dhe t'ju përgëzoj personalisht dhe në emër të programit tonë për mbështetjen dhe drejtimin që po i bëni kësaj fushate në çdo qytet të Shqipërisë", - tha zoti Volpiçela. Kryetarja e Kuvendit, pasi vlerësoi dhe falënderoi mbështetjen e palës italiane në procesin e diagnostifikimit të tumoreve të gjirit dhe mitrës tek gratë, u shpreh se do të vazhdojë me përkushtim fushatën e sensibilizimit të grave në çdo qytet të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›