Zgjedhjet PD, qeveria monitoron garën në Tiranë
Ngrihet grupi i punës në 11 minibashkitë
Bode mbledh grupin e Tiranës, Topalli të Shkodrës
Gara elektorale për drejtuesit e rinj të PD-së së Tiranës merr të gjithë vëmendjen e qeverisë. Anëtarët e kabinetit qeveritar, që janë pjesë e kryesisë së partisë, do të merren direkt me organizimin dhe funksionimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë. Grupi i punës, i cili drejtohet nga lideri i PD-së, Sali Berisha, ka në përbërjen e tij 11 kryetarë, të cilët u korrespondojnë 11 minibashkive të kryeqytetit. Çdo grup pune, përveç kryetarit, ka dhe 10 anëtarë që përzgjidhen nga këshilli kombëtar i PD-së. Kurse anëtari i kryesisë, Gent Strazimiri, është ngarkuar vetëm për zgjedhjet në komunat dhe bashkitë e rrethit të Tiranës. Secili prej krerëve të grupeve të punës mbikëqyr dhe përgjigjet direkt për një nga minibashkitë e kryeqytetit. Në listën e kryetarëve nuk figurojnë të gjithë deputetët e PD-së që janë zgjedhur në kryeqytet. Sipas ndarjes që ka bërë kryesia e PD-së, në minibashkinë nr. 1 në Tiranë është emëruar z. Sokol Olldashi, në minibashkinë nr. 2, Jemin Gjana. Në minibashkinë nr. 3 zgjedhjet do të jenë nën kujdesin e Astrit Patozit, kurse në atë nr. 4 do mbikëqyren nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Ky i fundit ka qenë i pari nga kryetarët që ka zhvilluar mbledhjen e parë me grupin e punës. Genc Rulit i është besuar një prej zonave më të vështira, ajo e ish-Bllokut, që figuron si minibashkia nr. 5, ndërkohë që në minibashkinë nr. 6 do të merret anëtari i kryesisë, Ilir Rusmali. Lulzim Basha do ketë në vëmendje të plotë minibashkinë nr. 7. Anëtari tjetër i kryesisë, Aldo Bumçi, është emëruar në minibashkinë nr .8, kurse nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli, rezulton në atë nr. 9. Halit Shamata dhe Majlinda Bregu respektivisht përgjigjen për minibashkitë nr. 10 dhe nr. 11. Gara zgjedhore për Tiranën konsiderohet si më e rëndësishmja për PD-në dhe aktualisht ka vetëm një kandidat zyrtar që pretendon kreun e degës më të madhe të PD-së. Ai është Besnik Mustafaj dhe pritet që përballë tij në këtë garë të dalë dhe drejtori i Korporatës Elektro-energjitike, Gjergji Bojaxhi. Përveç kryetarit të ri të demokratëve të kryeqytetit, do të zgjidhen edhe 11 kryetarët e minibashkive, ku ende nuk ka kandidatura konkrete për faktin se grupet e punës kanë zbritur dje në bazë për të nisur mbledhjet sipas kalendarit të caktuar nga kryesia e PD-së së qendrës. Nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli, mblodhi dje në selinë e PD-së grupin e punës së Shkodrës, të cilëve u ka dhënë dhe porositë për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve.
Qarku Tiranë
Grupet e punës Kryetar Sali Berisha
Minibashkia nr. 1 Sokol Olldashi
Minibashkia nr. 2 Jemin Gjana
Minibashkia nr. 3. Astrit Patozi
Mimibashkia nr. 4 Ridvan Bode
Minibashkia nr. 5 Genc Ruli
Minibashkia nr. 6 Ilir Rusmali
Minibashkia nr. 7 Lulzim Basha
Minibashkia nr. 8 Aldo Bumçi
Minibashkia nr. 9 Jozefina Topalli
Minibashkia nr. 10 Halit Shamata
Minibashkia nr. 11 Majlinda Bregu
Komuna + bashki Gent Strazimiri